“Muhamed ibn Ubejdullah Ebu Thabiti na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejd ibn Sebaku se Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pas Betejës së Jemames, Ebu Bekri dërgoi dikë për të më thirrur. I pranishëm ishte edhe Omer ibn Hatabi.” Ebu Bekri më tha: “Omeri më erdhi dhe më tha se gjatë betejës së Jemames janë vrarë shumë hafëzë të Kuranit, andaj kam frikë se, nëse vazhdon kështu edhe nëpër vende të tjera duke u vrarë shumë hafëzë, mund të humbë një pjesë e konsiderueshme e Kuranit, andaj unë mendoj se duhet të urdhërosh që të tubohet tërë Kurani në një vend.” I thashë: “Si, vallë, të bëj diçka që i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e ka bërë?!” Omeri më tha: “Betohem në Allahun se kjo do të jetë punë e mirë!” Kështu, Omeri vazhdoi të këmbëngulte në këtë, derisa Allahu ma mbushi mendjen dhe u binda ashtu siç ishte bindur Omeri.” Zejdi tregon: “Ebu Bekri më tha: “Ti vërtet që je një djalosh i mençur, për të cilin nuk kemi asnjë vërejtje, si dhe e shkruaje shpalljen për të Dërguarin e Allahut ﷺ. Andaj, gjurmo pjesët e Kuranit dhe tuboji! Betohem në Allahun se, sikur të më ngarkonin të lëvizja një kodër, nuk do të ishte më e vështirë për mua sesa kjo detyrë që ma dha për tubimin e Kuranit.” Thashë: “Si ka mundësi të veproni një punë që i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e ka bërë?!” Ebu Bekri më tha: “Betohem në Allahun se kjo do të jetë një punë e mirë!” Pastaj, vazhdimisht më nxiste, derisa Allahu ma mbushi mendjen të bindem siç ishin bindur ai dhe Omeri. Kështu, fillova t'i kërkoj pjesët e Kuranit (të cilat ishin shkruar) nëpër lëvozhga të drurëve, lëkura, eshtra, si dhe në pjesët që sahabët i kishin mësuar përmendsh dhe t'i tuboj në një vend. Së këndejmi, fundin e sures Teube: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët. Nëse ata largohen (nga e vërteta), thuaj: “Më mjafton Allahu, s'ka zot tjetër përveç Tij. Unë mbështetem tek Ai që është Zot i Fronit të Madh!” (Teube, 128-129) e gjeta te Huzejme, - ose ka thënë: tek Ebu Huzejme, - të cilën ia bashkëngjita sures përkatëse. Fletushkat në të cilat u tubua Kurani mbetën tek Ebu Bekri derisa Allahu ia mori shpirtin, pastaj tek Omeri derisa Allahu ia mori shpirtin, e pastaj te Hafsa, e bija e Omerit.””