“Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Lejla; [t]: Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ebu Lejla ibn Abdullah ibn Abdurrahman ibn Sehli se Sehël ibn Ebu Hathme (Allahu qoftë i kënaqur me të!), bashkë me disa pjesëtarë të tjerë nga paria e fisit të tij, tregojnë: “Abdullah ibn Sehli dhe Muhajisa ibn Mesud ibn Zejdi shkuan në Hajber për shkak të skamjes që i kishte goditur. Ndërkohë, Muhajisa u njoftua se Abdullah ibn Sehli ishte vrarë dhe ishte hedhur në një llagëm, - ose ka thënë: në një përrua, - e në atë rast ai shkoi menjëherë te hebrenjtë dhe u tha: “Betohem në Allahun se ju e vratë!” Thanë: “Betohemi në Allahun se ne nuk e kemi vrarë!” Me të arritur te fisi i tij (në Medinë), i lajmëroi për këtë dhe, bashkë me vëllanë e tij, Huvejisën, - i cili ishte para tij në moshë, - dhe me Abdurrahman ibn Sehlin shkuan për të biseduar me Pejgamberin ﷺ. Muhajisa, - i cili kishte qenë pjesëmarrës në Hajber, - filloi të flasë, por Pejgamberi ﷺ i tha: “Nga i madhi! Nga i madhi!” - duke pasur për qëllim moshën. Kështu, së pari foli Huvejisa e pas tij foli Muhajisa. Pejgamberi ﷺ u tha: “Ose do ta shpaguajnë gjakun e shokut tuaj, ose do të përballen me luftë!” Pejgamberi ﷺ u dërgoi atyre një letër, ndërsa ata ia kthyen: “Ne nuk e kemi vrarë atë. Në atë rast, Pejgamberi ﷺ u tha Huvejisës, Muhajisës dhe Abdurrahmanit: “A po betoheni, ashtu që ta meritoni shpagimin e shokut tuaj?” Ata i thanë: “Jo.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Atëherë hebrenjtë le të betohen për t'u shfajësuar!” Ata i thanë: “Por ata nuk janë muslimanë?” Atëherë, Pejgamberi ﷺ ua shpagoi vetë (të vrarin) me njëqind deve, të cilat iu dërguan deri në torishtë. Sehli shton: “Njëra nga devetë më goditi me këmbë.””