“Muhamed ibn Abide na ka thënë: Na ka rrëfyer Jezidi, e këtij i ka treguar Sulejm ibn Hajani, e këtij i ka treguar Seid ibn Minai se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke fjetur, i erdhën disa melekë. Disa prej tyre thanë: “Ai po fle”, kurse disa të tjerë thanë: “Syri i fle, kurse zemra i rri zgjuar.” Melekët thanë: “Për këtë shokun tuaj, ka një shembull, andaj silleni atë shembull.” Disa prej tyre thanë: “Ai po fle”, kurse disa të tjerë thanë: “Syri i fle, kurse zemra i rri zgjuar.” Pastaj thanë: “Rasti i tij shëmbëllen me një njeri që ka ndërtuar një shtëpi, ka shtruar një sofër dhe ka dërguar një thirrës. Kush i përgjigjet thirrësit, hyn në shtëpi dhe ha në sofër. Ndërkaq, kush nuk i përgjigjet, nuk mund të hyjë në shtëpi e as të hajë në sofër.” Melekët thanë: “Shpjegojani edhe atij që ta kuptojë.” Disa thanë: “Ai po fle.” Kurse të tjerët thanë: “Syri i fle, kurse zemra i rri zgjuar.” Pastaj thanë: “Shtëpia (e përmendur) është Xheneti, ndërsa thirrësi është Muhamedi ﷺ, andaj kush i bindet Muhamedit ﷺ, i është bindur Allahut, e, kush e kundërshton Muhamedin, e ka kundërshtuar Allahun. Pra, Muhamedi ﷺ është dalluesi mes njerëzve.” Këtë transmetim e fuqizon Kutejbe nga Lejthiu, e ky nga Halidi, e ky nga Seid ibn Ebu Hilali, e ky nga Xhabiri (se ka thënë): “Pejgamberi ﷺ u paraqit ndër ne.””