“Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Vekiu, e ky nga Nafi ibn Omeri se Ibn Ebu Mulejke tregon: “Dy burrat e mirë, Ebu Bekri dhe Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), gati sa nuk u shkatërruan. Kur një delegacion nga fisi benu temim shkuan te Pejgamberi ﷺ, njëri nga ata dy e propozoi Akraë ibn Habis Handhaliun për udhëheqës të tyre, vëllanë e benu muxhashive, kurse tjetri propozoi dikë tjetër. Kështu, Ebu Bekri i tha Omerit: “Deshe vetëm të më kundërshtosh.” - Nuk desha të të kundërshtoj, - ia ktheu Omeri. Kështu ata i ngritën zërat, në prani të Pejgamberit ﷺ. Atëherë zbriti ajeti: “O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit dhe mos i flitni atij me zë të lartë, siç bëni me njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos ju humbin veprat tuaja pa e ndier ju fare. Vërtet, ata që ulin zërin në prani të të Dërguarit të Allahut janë njerëzit, zemrat e të cilëve Allahu i ka kalitur për besim e përkushtim. Për ta ka falje dhe shpërblim të madh.” (Huxhurat, 2-3) Ibn Ebu Mulejke transmeton nga Ibn Zubejri, - edhe pse nuk përmend të njëjtën gjë për gjyshin e tij, Ebu Bekrin, - se ka thënë: “Pas kësaj, kur Omeri i fliste Pejgamberit ﷺ për ndonjë gjë, i fliste shumë ngadalë, saqë ai nuk ia dëgjonte fjalët, pa e pyetur përsëri për atë gjë.””