“Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon: “Gjatë sëmundjes së vdekjes, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “I thoni Ebu Bekrit t'u prijë njerëzve në namaz.” - Kur Ebu Bekri të zëvendëson ty, njerëzit nuk mund ta dëgjojnë nga të qarët. Andaj, thuaji Omerit t'ua falë, - i thashë. Pejgamberi ﷺ sërish tha: “I thoni Ebu Bekrit t'u prijë njerëzve në namaz.” Aishja thotë: “Unë i thashë Hafsës: “Thuaji Pejgamberit ﷺ: “Kur Ebu Bekri të zëvendëson ty, njerëzit nuk mund ta dëgjojnë nga të qarët. Andaj, thuaji Omerit t'ua falë njerëzve.” Hafsa veproi ashtu, por i Dërguari i Allahut ﷺ ia ktheu: “Jeni bërë sikurse gratë në rrëfimin e Jusufit ﷺ. I thoni Ebu Bekrit t'u prijë njerëzve (në namaz) !” Hafsa iu drejtua Aishes: “Kurrë nuk ta pashë hajrin!””