“Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi se Malik ibn Evs Nasriu tregon: “Shkova tek Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe, duke qenë me të, portieri i tij, Jerfai, erdhi dhe e pyeti: “I lejon Othmanin, Abdurrahmanin, Zubejrin dhe Sadin të hyjnë brenda?” Omeri pohoi dhe ai i lejoi të hyjnë. Ata hynë brenda duke dhënë selam dhe u ulën. Pas pak, Jerfai e pyeti sërish: “E lejon Aliun dhe Abasin të hyjnë?” Omeri i lejoi. Kur hyri, Abasi tha: “O prijës i besimtarëve! Gjyko mes meje e të padrejtit!” - dhe ofenduan njëri-tjetrin. Të pranishmit, Othmani me shokët e tij, thanë: “O prijës i besimtarëve, gjyko mes tyre dhe rehatoji.” Omeri iu drejtua të pranishmëve: “Po ju përbej në Allahun, me lejen e të Cilit janë ngritur Qielli dhe Toka, vallë, a nuk e dini se i Dërguari i Allahut ﷺ me fjalët: “Ne nuk trashëgohemi. Atë që lëmë, mbetet sadaka” , ka pasur për qëllim veten e tij?!” Ata iu përgjigjën: “Ashtu ka thënë.” Atëherë u kthye nga Aliu dhe Abasi e u tha: “Po ju përbej në Allahun edhe juve, a e dini se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë kështu?” Ata iu përgjigjën: “Ashtu ka thënë.” Pastaj Omeri vazhdoi: “Pra, unë do t'ju tregoj për këtë çështje: “Allahu e ka veçuar të Dërguarin e Tij ﷺ me një pjesë të kësaj plaçke të cilën s'ia ka dhënë askujt tjetër, përveç tij. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Çfarëdo që Allahu i dhuroi të Dërguarit të Tij si plaçkë (të marrë) prej tyre, është prej mirësisë së Tij. Ju nuk hipët mbi kuaj e as mbi deve për ta fituar atë, por Allahu u jep pushtet të dërguarve të Vet mbi ata që Ai dëshiron. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Hashr, 6) Pra, kjo plaçkë ka qenë vetëm e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Betohem në Allahun se ai nuk ka marrë asgjë nga hisja juaj e as e ka mbajtur atë vetëm për vete. Ju ka dhënë dhe e ka shpërndarë mes jush, saqë në fund mbeti vetëm kjo pasuri, të cilën i Dërguari i Allahut ﷺ e shpenzonte për të siguruar nevojat e familjes së vet për një vit, kurse pjesën që tepronte e linte në shërbim të muslimanëve. Pejgamberi ﷺ kështu ka vepruar tërë jetën. Ju lus të më tregoni për hir të Allahut, a e keni ditur këtë?” Të pranishmit pohuan. Pastaj u kthye dhe i tha Aliut e Abasit: “Ju lus të më tregoni për hir të Allahut, a e keni ditur këtë?” Edhe ata pohuan. Omeri vazhdoi: “E, kur Allahu ia mori shpirtin Pejgamberit ﷺ, Ebu Bekri tha: “Unë jam pasuesi i të Dërguarit të Allahut ﷺ. Pastaj e mori atë pasuri dhe veproi me të ashtu siç pati vepruar i Dërguari i Allahut ﷺ. Ndërkaq, ju të dy, - u kthye nga Aliu e Abasi, - po pretendoni se Ebu Bekri ka bërë kështu e kështu...?” Allahu e di mirë se ai ka qenë i sinqertë, bamirës e i matur me atë pasuri dhe pasues i së vërtetës. Pastaj, kur Allahu ia mori shpirtin Ebu Bekrit, unë thashë: “Tani unë jam pasuesi i të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe Ebu Bekrit, andaj e mora atë pasuri dhe, për dy vjetët e hilafetit tim, punova me të siç ka punuar i Dërguari i Allahut ﷺ dhe Ebu Bekri. Pastaj, më erdhët ju dy dhe më folët për të njëjtën punë, ndërsa kërkesat dhe çështjet tuaja janë të njëjta. Më erdhe (o Abas) që të kërkosh hisen tënde nga djali i vëllait tënd (Muhamedi ﷺ), ndërsa ky (Aliu) më erdhi që të kërkojë hisen e gruas së tij nga babai i saj (Muhamedi ﷺ), andaj ju pata thënë: “Nëse dëshironi, po jua jap, por me kusht që të më premtoni në Allahun se do të punoni me të siç ka punuar i Dërguari i Allahut ﷺ, Ebu Bekri dhe siç kam punuar unë që kur e kam marrë përsipër atë, përndryshe mos e kërkoni fare”, ju thatë: “Na jep neve atë me ato kushte e unë jua dhashë. (Pastaj, duke u kthyer nga grupi, tha:) “Ju lus të më tregoni për hir të Allahut, a ua kam dhënë atyre dyve atë pjesë me ato kushte?” Ata thanë: “Po.” Pastaj u kthye prapë nga Aliu dhe Abasi dhe u tha: “Ju lus të më tregoni për hir të Allahut, a jua kam dhënë juve dyve atë pjesë me ato kushte?” Ata thanë: “Po.” Atëherë ai tha: “A mos po kërkoni nga unë të gjykoj diçka tjetër? Betohem në Allahun, me lejen e të Cilit qëndrojnë Qielli dhe Toka, se nuk do të gjykoj ndryshe, derisa të bëhet Kiameti. Nëse nuk arrini të përballoni kushtin (që keni pranuar), kthemani mua, e unë do ta përballoj.””