“Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Seidi, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po qëndronim në xhami, i Dërguari i Allahut ﷺ doli dhe tha: “Nisuni për te hebrenjtë!” Ne u nisëm me të dhe, me të arritur te shtëpia e Midrasit, Pejgamberi ﷺ u ngrit dhe u tha: “O ju hebrenj, pranojeni Islamin, që të shpëtoni.” Ata i thanë: “E përcolle mesazhin, o Ebu Kasim!” Ai u tha: “Unë këtë po e synoj, pranojeni Islamin, që të shpëtoni.” Ata sërish i thanë: “E përcolle mesazhin, o Ebu Kasim!” I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Unë këtë po e synoj.” Pastaj u tha të njëjtën gjë për së treti dhe shtoi: “Dijeni se kjo tokë i takon Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Unë dua t'ju dëboj nga kjo tokë, andaj, kush nuk mund ta marrë pasurinë me vete, le ta shesë. Përndryshe, dijeni se kjo tokë i takon Allahut dhe të Dërguarit të Tij.””