“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Halid ibn Jezidi, e ky nga Seid ibn Ebu Hilali, e ky nga Zejdi, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë e pyetëm Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, a do ta shohim Zotin tonë Ditën e Kiametit? Ai iu përgjigj: “A keni vështirësi për ta parë Diellin dhe Hënën kur nuk ka re?” - Jo, - i thamë. Ai vazhdoi: “Edhe atë ditë nuk do të keni vështirësi për ta parë Zotin tuaj, siç nuk keni vështirësi për ta parë Diellin dhe Hënën. Një thirrës do të thërrasë: “Çdokush le t'i shkojë pas atij që e ka adhuruar!” Kështu, pasuesit e kryqit shkojnë me kryqin, pasuesit e idhujve me idhujt dhe pasuesit e çdo zoti shkojnë me zotat e tyre, derisa të mbeten ata që e kanë adhuruar Allahun, bamirës e mëkatarë dhe disa që kanë ngelur nga radhët e ithtarëve të Librit. Pastaj sillet Xhehenemi dhe paraqitet sikurse të ishte mirazh. Hebrenjve u thuhet: “Çfarë adhuronit?” Ata përgjigjen: “E adhuronim Uzejrin, të birin e Allahut.” U thuhet: “Po gënjeni! Allahu nuk ka bashkëshorte e as fëmijë. Çfarë dëshironi?” Ata thonë: “Dëshirojmë të na japësh ujë!” U thuhet: “Pini (atje) ! Kështu, ata bien në Xhehenem.” Pastaj të krishterëve u thuhet: “Çfarë adhuronit?” Ata përgjigjen: “E adhuronim Mesihun (Isain) , të birin e Allahut.” U thuhet: “Po gënjeni! Allahu nuk ka as bashkëshorte e as fëmijë. Çfarë dëshironi?” Ata thonë: “Dëshirojmë të na japësh ujë!” U thuhet: “Pini (atje) !” Kështu, edhe ata bien d erisa të mbesin vetëm ata që e adhuronin Allahun, bamirës e mëkatarë. Atëherë u thuhet: “Çfarë po prisni përderisa njerëzit e tjerë kanë shkuar?” Ata thonë: “Jemi distancuar prej tyre në kohën kur kishim nevojë për ta më shumë se sot. Dëgjuam një thirrës duke thirrur: “Secili popull le t'i shkojë pas atij që e ka adhuruar, kështu që ne po presim Zotin tonë.” Atëherë vjen i Gjithëfuqishmi në një pamje më ndryshe se herën e parë dhe u thotë: “Unë jam Zoti juaj.” Ata i thonë: “Ti je Zoti ynë, porse askush nuk i flet Atij përveç pejgamberëve.” Ai u thotë: “A keni ndonjë shenjë me të cilën e njihni Atë (Zotin tuaj) ?” A ta thonë: “Kërciri .” Atëherë Ai e zbulon Kërcirin e Tij dhe çdo besimtar i bie në sexhde, ndërsa ata që Allahut i binin në sexhde sa për sy e faqe mbesin duke u përpjekur të bien, porse shpina u shndërrohet në një asht të vetëm (nuk përulet) . Pastaj sillet ura dhe vendoset në mes të dy anëve të Xhehenemit.” Ne e pyetëm: “O i Dërguari i Allahut, çfarë është kjo urë?” Ai tha: “E rrëshqitshme, e lëmuar, në të cilën ka grepa, çengela dhe gjemba të gjerë e të lakuar (sikurse ato) që gjenden në Nexhd, që njihen me emrin sadan. Ka besimtarë që kalojnë nëpër të si një e lëvizur e qërpikëve, si vetëtima, si era, si kuajt e shpejtë dhe devetë, e, ka prej tyre që shpëtojnë pa asnjë dëmtim, të tjerë që shpëtojnë të çjerrë, e disa të tjerë që zhyten në zjarrin e Xhehenemit, sakaq i fundit do të shkojë zvarrë. Atë Ditë besimtarët do t'i kërkojnë me ngulm të Gjithëfuqishmit t'ua shpëtojë vëllezërit e tyre, më shumë sesa që ju kërkoni (në dynja) të drejtat tuaja që ju takojnë . Kur shohin se vetë kanë shpëtuar (nga Zjarri) , do të thonë: “O Zoti ynë, vëllezërit tanë! Ata janë falur me ne, kanë agjëruar me ne dhe kanë bërë vepra të mira me ne.” Atëherë Allahu i Lartësuar u thotë: “Shkoni dhe këdo që e gjeni me iman në zemër sa një dinar, nxirreni.” Në atë rast Allahu ia ndalon Zjarrit t'i djegë trupat e tyre dhe ata shkojnë. Disa i gjejnë të zhytur në zjarr deri te këmbët, disa deri në mes të kërcirit. Kështu, i nxjerrin nga aty të gjithë të njohurit. Pasi të kthehen, Allahu u thotë: “Shkoni dhe këdo që gjeni me iman në zemër sa një gjysmë dinari, nxirreni.” Kështu, i nxjerrin të gjithë të njohurit. Pasi të kthehen, Allahu u thotë: “Shkoni dhe këdo që gjeni me iman në zemër sa grimca, nxirreni. Kështu, i nxjerrin të gjithë të njohurit.” Ebu Seidi thotë: “Nëse nuk më besoni, lexojeni ajetin: “Vërtet, Allahu nuk dëmton askënd asnjë grimë, por, nëse (dikush) bën mirësi, Allahu ia shumëfishon atë dhe i jep shpërblim të madh.” (Nisa, 40) Ebu Seidi vazhdon: “Pasi të ndërmjetësojnë pejgamberët, melekët dhe besimtarët, i Gjithëfuqishmi thotë: “Ka mbetur ndërmjetësimi Im.” Andaj, kap një grusht banorësh të Zjarrit, nga ku nxjerr njerëz që janë shkrumbuar, të cilët i hedh në një lumë buzë Xhenetit, që quhet Uji i Jetës. Si rrjedhojë, ata mbijnë në dy brigjet e tij, sikurse që mbin fara në baltën e vërshimit, siç i shihni anash shkëmbinjve dhe drurëve. Ato që ndodhen nga dielli, bëhen të gjelbra, kurse ato që ndodhen nga hija, mbesin të bardha. Kështu, ata dalin sikurse të ishin margaritarë e në qafat e tyre stolisen me gjerdanë dhe hyjnë në Xhenet. Banorët e Xhenetit do të thonë: “Këta janë të amnistuarit e Mëshiruesit, i ka futur në Xhenet pa bërë asnjë vepër dhe pa bërë asnjë të mirë. Atyre do t'u thuhet: “Gjithë kjo që po shihni dhe njëfishi i saj është për ju.””