“Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Hemam ibn Jahjai, e këtij i ka treguar Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ditën e Kiametit, besimtarët do të mbahen në një vend dhe të mërzitur nga kjo gjendje do të thonë: “Sikur të kërkonim ndërmjetësim te Zoti ynë (për ta filluar gjykimin) që të na rehatojë nga ky vend.” Prandaj, shkojnë tek Ademi dhe i thonë: “Ti je Ademi, babai i njerëzimit. Allahu të ka krijuar me Dorën e Vet, të ka strehuar në Xhenetin e Tij, melekët i ka urdhëruar të bien në sexhde për ty, t'i ka mësuar emrat e çdo gjëje, andaj ndërmjetëso te Zoti yt për ne, që të na rehatojë nga ky vend.” Ai u thotë: “Unë nuk jam kompetent për këtë.” Pastaj e përmend gabimin që pati bërë kur hëngri nga pema e ndaluar dhe u thotë: “Shkoni te Nuhu, sepse ai është i dërguari i parë që Allahu i Lartësuar ua ka dërguar banorëve të Tokës.” Kështu, shkojnë te Nuhu, por ai u thotë: “Unë nuk jam kompetent për këtë. Pastaj e përmend gabimin e vet që ka bërë, pra, pyetjen e tij drejtuar Zotit të vet pa dije. Prandaj u thotë: “Shkoni tek Ibrahimi, miku i Rrahmanit.” Kur shkojnë tek Ibrahimi, ai u thotë: “Unë nuk jam kompetent për këtë”, dhe i përmend tri gënjeshtrat që i ka thënë, andaj u thotë: “Shkoni te Musai, një rob të cilit Allahu ia ka dhënë Tevratin dhe i ka folur nga afër.” Kur shkojnë te Musai, ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë.” Kështu, e përmend gabimin e vet që e ka bërë, pra, vrasjen e një personi, andaj u thotë: “Shkoni tek Isai, robi dhe i dërguari i Allahut, njëherazi shpirti i (krijuar prej) Allahut dhe Fjala e Tij.” Pasi të shkojnë tek Isai, edhe ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë, andaj shkoni te Muhamedi ﷺ, një rob që Allahu ia ka falur mëkatet e kaluara dhe të ardhmet.” Kur vijnë tek unë, unë kërkoj leje nga Zoti im në Shtëpinë e Tij dhe mua më jepet leja. Posa ta shoh Atë, i bie në sexhde dhe Allahu më lë aq sa të dojë, pastaj më thotë: “Ngrije kokën, o Muhamed, fol , do të dëgjohesh, ndërmjetëso, do të të pranohet dhe kërko, do të të jepet. Unë do ta ngre kokën dhe do ta lavdëroj Zotin tim me lavdërime dhe falënderime që Ai do të m'i mësojë, pastaj do të ndërmjetësoj. Ai do të më përcaktojë një grup (njerëzish) , të cilët do të dal t'i marr dhe do t'i fus në Xhenet.” Katadja shton: “Pastaj dal prej aty, i nxjerr ata nga Zjarri dhe i fus në Xhenet. Pastaj kthehem sërish. Kërkoj leje nga Zoti im në Shtëpinë e Tij dhe më jepet leja. Posa ta shoh Atë, i bie në sexhde dhe Allahu më lë aq sa të dojë, pastaj më thotë: “Ngrije kokën, o Muhamed, fol , do të dëgjohesh, ndërmjetëso, do të të pranohet dhe kërko, do të të jepet. Unë do ta ngre kokën dhe do ta lavdëroj Zotin tim me lavdërime dhe falënderime që Ai do të m'i mësojë, pastaj do të ndërmjetësoj. Ai do të më përcaktojë një grup (njerëzish) , të cilët do të dal t'i marr dhe do t'i fus në Xhenet.” Katadja shton: “Pastaj dal prej aty, i nxjerr ata nga Zjarri dhe i fus në Xhenet. Pastaj kthehem për herë të tretë. Kërkoj leje nga Zoti im në Shtëpinë e Tij dhe më jepet leja. Posa ta shoh Atë, i bie në sexhde dhe Allahu më lë aq sa të dojë, pastaj më thotë: “Ngrije kokën, o Muhamed, fol , do të dëgjohesh, ndërmjetëso, do të të pranohet dhe kërko, do të të jepet.” Unë do ta ngre kokën dhe do ta lavdëroj Zotin tim me lavdërime dhe falënderime që Ai do të m'i mësojë, pastaj do të ndërmjetësoj. Ai do të më përcaktojë një grup (njerëzish) , të cilët do të dal t'i marr dhe do t'i fus në Xhenet.” Katadja shton: “Pastaj dal prej aty, i nxjerr ata nga Zjarri dhe i fus në Xhenet. Kjo vazhdon derisa nuk do të mbetet në Zjarr askush përveç atyre që Kurani ka përcaktuar të mos dalin, pra, detyrimisht do të qëndrojnë aty përjetësisht. Pastaj citoi ajetin: “... është e vërtetë se Zoti yt do të të vendosë ty në një vend të lavdëruar.” (Isra, 79) Ky është “vendi i lavdishëm" që i është premtuar Pejgamberit tuaj ﷺ.””