“Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Amër ibn Hafsi, e këtij i ka treguar Evzaiu, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi se Ubejdullah ibn Abdullahu tregon se Ibn Abasi dhe Hurr ibn Kajs ibn Hisn Fezariu debatuan për personin që e kishte takuar Musai ﷺ, nëse ai ka qenë vetë Hidri, apo jo. Pranë tyre kaloi Ubej ibn Kab Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Ibn Abasi e thirri e i tha: “Unë dhe ky shoku im po diskutonim rreth personit që Musai ﷺ bëri rrugë për ta takuar. A e ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të ketë folur për të?” Ai iu përgjigj: Po, e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Teksa Musai ﷺ ishte në mesin e një grupi benu israilësh, shkoi një njeri dhe i tha: “A njeh ndokënd që është më i ditur se ti?” - Jo, - tha Musai ﷺ. Atëherë, Musait iu shpall: “Po, robi Ynë, Hidri (është më i ditur) .” Musai ﷺ kërkoi takimin me të, e Allahu ia bëri peshkun si shenjë. Kur ta kesh humbur peshkun, kthehu, se atëherë do ta takosh atë (Hidrin) , - iu tha atij. Kështu, Musai ﷺ priste humbjen e peshkut në det. Kur djaloshi, që e shoqëronte, i tha: “Të kujtohet shkëmbi tek i cili pushuam? Aty e kam harruar peshkun. Shejtani ishte ai që më bëri ta harroj.” Musai ia ktheu: “ Këtë po e prisnim.” Kështu, u kthyen mbrapa nëpër gjurmët e veta nga kishin ardhur dhe aty e gjetën Hidrin, e pastaj historia vazhdon ashtu siç e ka përmendur Allahu i Lartësuar në Librin e Tij.””