“Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri, e ky nga Ikrime se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur Allahu të caktojë ndonjë punë në qiell, melekët rrahin krahët në shenjë përuljeje ndaj urdhrit të Tij, sikurse zinxhiri (kur bie) mbi sipërfaqen e gurit të lëmuar, kur Allahu ua kalon urdhrin atyre. Pasi t'u largohet frika nga zemrat, ata thonë: “Çka tha Zoti juaj? - Të vërtetën. Ai është i Larti dhe i Madhi! - përgjigjen të tjerët.” Aliu ka thënë: “Këtë na e ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amri nga Ikrime, e ky nga Ebu Hurejra. Sufjani ka thënë: “Amri ka thënë: “E kam dëgjuar Ikrimen duke thënë: “E kam dëgjuar Ebu Hurejrën.” Aliu ka thënë: “I kam thënë Sufjanit: “A e ke dëgjuar Ikrimen duke thënë: “E kam dëgjuar Ebu Hurejrën?” Tha: “Po.” I thashë Sufjanit: “Një person ka transmetuar nga Amri, e ky nga Ikrime, e ky nga Ebu Hurejra prej Pejgamberit ﷺ se ajetin e ka lexuar kështu: “fuzia”. Sufjani ka thënë: “Kështu e ka lexuar Amri, porse nuk e di nëse e ka dëgjuar kështu apo jo.” Sufjani ka thënë: “Kështu e lexojmë ne.””