“Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omer ibn Hatabi pa një palë rroba të reja prej mëndafshi para derës së xhamisë, andaj i tha Pejgamberit ﷺ: - O i Dërguari i Allahut, sikur t'i blije këto e t'i vishje ditën e premte dhe nëpër takime me delegacionet që të vijnë? - “Këto i veshin vetëm ata që nuk kanë hise në botën tjetër”, - i tha Pejgamberi ﷺ. Pas një kohe, dikush i kishte sjellë të Dërguarit të Allahut ﷺ disa palë rrobash prej mëndafshi. Një palë prej tyre ia dërgoi Omer ibn Hatabit. Omeri shkoi e i tha: - O i Dërguari i Allahut, m'i dërgove t'i vesh, ndërkohë ti vetë pate thënë fjalë jo të mira për rrobat që i shet Utaridi. - “Nuk t'i kam dërguar për t'i veshur ti”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ. Kështu, Omeri ia dërgoi ato vëllait të vet idhujtar, të cilin e kishte në Mekë.”