“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Një njeri (nga benu israilët) kishte thënë: “Do të jap lëmoshë.” Pastaj doli me lëmoshën e vet dhe e lëshoi (pa dije) në dorën e një hajduti. Në mëngjes njerëzit filluan të flisnin: “Lëmosha iu dha një hajduti.” Ai (që dha lëmoshë) tha: “O Allah, Ty të takon falënderimi, do të jap lëmoshë (sërish) .” Doli me lëmoshën e vet dhe e lëshoi (pa dije) në dorën e një lavireje. Në mëngjes njerëzit thanë: “Mbrëmë lëmosha iu dha një lavireje.” Ai tha: “O Allah, Ty të takon falënderimi, (ndonëse shkoi) për laviren. Do të jap lëmoshë përsëri.” Doli për së treti me lëmoshën e vet dhe e lëshoi (pa dije) në dorën e një të pasuri. Në mëngjes njerëzit thanë: “Lëmosha iu dha një të pasuri.” Ai tha: “O Allah, Ty të takon falënderimi, për hajnin, laviren dhe të pasurin.” Dikush i vajti (në ëndërr) dhe i tha: “Sa i përket lëmoshës për hajnin, ndoshta ndalet nga hajnia; për laviren, ndoshta ndalet nga zinaja; si dhe, për të pasurin, ndoshta ndërgjegjësohet dhe jep nga ajo që i ka dhënë Allahu.””