“Muhamed ibn Gurejr Zuhriu na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahimi, e ky nga babai i tij, e ky nga Salih ibn Kejsani, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Amir ibn Sadi, se babai i tij Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ u dha disa personave, e unë u ula pranë tyre, por anashkaloi një burrë për të cilin mendoja se ishte më i miri. Iu afrova të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe i fola në vesh, duke i thënë: - Çfarë ke me filanin? Betohem në Allahun se unë e njoh për besimtar. - “Apo thjesht për musliman?” - tha Pejgamberi ﷺ. Heshta pak, por gjërat që dija për të më shtynë t'i thosha sërish: - O i Dërguari i Allahut, çfarë ke me filanin? Betohem në Allahun se unë e njoh për besimtar. - “Apo thjesht për musliman?” - tha sërish Pejgamberi ﷺ. Heshta pak, por gjërat që dija për të edhe më tutje më shtynë t'i thosha: - O i Dërguari i Allahut, çfarë ke me filanin? Betohem në Allahun se unë e njoh për besimtar. - “Apo thjesht për musliman. Unë ndodh t'i jap një njeriu, edhe pse dikush tjetër mund të jetë më i dashur për mua se ai, nga frika se Allahu mund ta hedhë me fytyrë në Zjarr.” (Jakubi) transmeton nga babai i tij, e ky nga Salihu, e ky nga Ismail ibn Muhamedi, i cili ka thënë: “E kam dëgjuar babanë tim dhe në trasmetimin e tij qëndron: “I Dërguari i Allahut ﷺ më rrahu supin dhe më tha: “Eja, o Sad, unë ndodh t'i jap një njeriu...” Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Fjala “fe kubkibu" ﴾فَكُبْكِبُوا﴿ (Shuara, 94) e ka kuptimin: “Kështu, ata do të hidhen (në zjarr) përmbysur.” Fjala “mukiben" ﴾مُكِبًّا﴿ (i përmbysur) (Mulk, 22), (rrjedh prej foljes:) (أَكَبَّ) (ekebe), e cila është folje jokalimtare (në gjuhën arabe, e këto janë folje që emërtojnë veprime që mbeten tek ai që i kryen), (p.sh) أَكَبَّ الرَّجُلُ (ekebe rexhulu): “... njeriu është hedhur përmbys.” Ndërkaq, për foljen kalimtare (që kanë mundësi të marrin kundrinor të drejtë) përdoret shprehja (كَبَّ) (kebe), (p. sh.) “Kebehullahu li vexhhihi" كَبَّهُ اللَّهُ لِوَجْهِهِ : “Allahu e ka hedhur përmbys në fytyrën e tij.””