“Abdullah ibn Muniri transmeton se e ka dëgjuar Harun ibn Ismailin, e këtij i ka treguar Ali ibn Mubareku, e këtij i ka treguar Jahja ibn Ebu Kethiri se Ebu Seleme ibn Abdurrahmani tregon se e ka pyetur Ebu Seid Hudriun (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A e ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të përmendë Natën e Kadrit?” Ai iu përgjigj: “Po, njëherë hymë në itikaf me të Dërguarin e Allahut ﷺ në dhjetëditëshin e mesëm të Ramazanit dhe dolëm në mëngjesin e ditës së njëzetë. I Dërguari i Allahut ﷺ na ligjëroi në mëngjesin e asaj dite duke thënë: “Më është shfaqur Nata e Kadrit në ëndërr, por pastaj m'u largua dituria rreth saj. Andaj, kërkojeni në netët tek të dhjetëditëshit të fundit. Në ëndërr kam parë se bëja sexhde mbi ujë dhe baltë. Ai që ka hyrë në itikaf me të Dërguarin e Allahut ﷺ, le të kthehet (për të vazhduar itikafin në dhjetëditëshin e fundit) .” Njerëzit u kthyen në xhami, e në qiell nuk shihnim asnjë re. Pastaj u shfaq një re dhe filloi të binte shi. U thirr ikameti për namaz dhe i Dërguari i Allahut ﷺ bëri sexhde mbi baltë e ujë, saqë ia pashë shenjat e baltës në majë të hundës dhe në ballë.”