“Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Abdurrahman ibn Aufi erdhi në Medinë, Pejgamberi ﷺ e vëllazëroi me Sad ibn Rebi Ensariun.” Sadi ishte pasanik, andaj i tha Abdurrahmanit: - Po ta ndaj gjysmën e pasurisë sime dhe po të martoj (me njërën prej grave të mia). - Allahu të begatoftë në familjen dhe në pasurinë tënde, por vetëm më drejtoni te tregu! - i tha Abdurrahmani. Kur u kthye prej tregut, Abdurrahmani veçse kishte fituar ca djathë dhe gjalpë, të cilën ia solli familjes së vet. Pas një kohe të shkurtë - ose ka thënë: aq sa deshi Allahu -, kur erdhi, Abdurrahmanit i vëreheshin gjurmë të verdha parfumi. Pejgamberi ﷺ e pyeti: - “Ç'është kjo?” - Jam martuar me një ensare, o i Dërguari i Allahut! - “Çfarë i dhe për mehër?” - Ar sa bërthama e hurmës - ose ka thënë: sa sasia e një bërthame të hurmës -. - “Bëj një gosti, qoftë dhe me një dele.””