“Is'haku na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Abdullahu, e ky nga Halidi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu e ka shenjtëruar Mekën, andaj (lufta në të) nuk i është lejuar askujt, as para meje, as pas meje. Mua më është lejuar vetëm për një pjesë të ditës. Në të nuk lejohet as shkulja e gjembave, as dëmtimi i pemëve, nuk trazohet gjahu (gjuetia) e saj, si dhe nuk merret gjëja e humbur, përveç për atë që e shpall ndër njerëz.” Atëherë Abas ibn Abdulmutalibi tha: - Përveç idhhirit (lloj peme), se ai na duhet për zejtari dhe për ndërtim. - “Përveç idhhirit ”, - tha Pejgamberi ﷺ. Ikrime pyeti: “E dini ç'do të thotë: “nuk trazohet gjahu i saj?”, pra, ta trazosh gjahun prej hijes për t'ia zënë vendin.” Abdulvehabi transmeton nga Halidi se (Abasi) ka thënë: “... na duhet për zejtari dhe varreza.””