“Jakub ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Asimi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Musa ibn Ukbe, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ u ka treguar: “Tre persona dolën për rrugë dhe i zuri shiu, andaj u strehuan në shpellën e një kodre. Papritmas, një gur u rrotullua dhe ua mbylli daljen. Atëherë i thanë njëri-tjetrit: “Luteni Allahun me veprat më të mira që keni vepruar.” Njëri tha: “O Allah! Prindërit e mi kanë qenë të thyer në moshë, ndërsa unë dilja për t'i kullotur bagëtitë dhe, kur kthehesha, i milja dhe qumështin ua dërgoja prindërve për të pirë, pastaj u jepja fëmijëve, familjes dhe gruas sime. Një natë, u vonova dhe, kur u ktheva, prindërit i gjeta duke fjetur. Nuk doja t'i zgjoja nga gjumi, ndërkohë fëmijët qanin pranë këmbëve të mia. Kështu qëndrova deri në mëngjes. Prandaj, O Allah, nëse këtë e kam bërë për ta fituar kënaqësinë Tënde, na hap një vrimë që ta shohim qiellin!” Në atë rast (shkëmbi lëvizi dhe) u hap një vrimë. Tjetri tha: “O Allah! Ti e di se unë dashuroja një prej vajzave të xhaxhait tim ashtu siç dashuron mashkulli një femër tjetër. Ajo pati thënë se unë nuk do ta arrija këtë gjë tek ajo (dashurinë e saj) , vetëm nëse do t'ia jepja njëqind dinarë (sepse ajo ishte në varfëri të skajshme) . Kështu, punova derisa i mblodha (paratë) , por, kur u shtriva me të, më tha: “Kije frikë Allahun dhe mos ma prish virgjërinë pa kontratë martesore!” Rrjedhimisht, e lashë dhe u largova. Andaj, nëse këtë e kam bërë për ta fituar kënaqësinë Tënde, na e hap rrugën!” Tjetri tha: “O Allah! Ti e di se unë pata marrë një punëtor me pagesë në këmbim të një shporte misri dhe e pata paguar, por ai pati refuzuar që t'i marrë. Më pas, shportën me misër e mbolla e me të bleva ca lopë dhe (mora) një çoban. Pas njëfarë kohe, u kthye dhe më tha: “O rob i Allahut! Ma jep pjesën time!” I thashë: “Shko tek ai çobani me lopë, sepse janë të tuat.” Më tha: “Vallë, po tallesh me mua?!” I thashë: “Nuk po tallem, vërtet ato të takojnë ty.” Prandaj, o Allah, nëse këtë e kam bërë për ta fituar kënaqësinë Tënde, na e hap rrugën!” Sakaq atyre iu hap rruga.””