“Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Ebu Bishri, e ky nga Ebu Mutevekili se Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grup i shokëve të Pejgamberit ﷺ u nisën për në udhëtim dhe u ndalën te një fis arab, prej të cilëve kërkuan konak, por ata refuzuan. Kështu, prijësin e fisit në fjalë e thumboi një akrep. Pjesëtarët e fisit bënë çmos për ta ndihmuar, por asgjë nuk i bënte dobi. Dikush tha: “Sikur të shkonit te grupi që u ndalën më herët, ndoshta posedojnë diç që i ndihmon.” Kësisoj, vajtën te sahabët dhe u thanë: “O ju njerëz, prijësin tonë e ka thumbuar një akrep. E mjekuam me çka mundëm, por asgjë nuk po i bën dobi. Mos vallë ndokush prej jush posedon diç (që i bën dobi)?” - Po, unë di të bëj rukje. Mirëpo, ne ju kërkuam konak, por ju na refuzuat, andaj nuk do t'ju ofrojmë ndihmë pa na paguar, - tha njëri prej sahabëve. Kështu, ranë në ujdi për një tufë delesh. Sahabiu shkoi dhe i fryu duke lexuar suren Fatiha. Prijësi u shërua dhe u ngrit e ecte sikurse të mos i kishte ndodhur asgjë. Më pas ua bënë pagesën për të cilën kishin rënë në ujdi. Disa sahabë thoshin: “Ta ndajmë!” Ndërkaq, ai që i kishte bërë rukje, tha: “Jo, të presim derisa të shkojmë te Pejgamberi ﷺ dhe t'i tregojmë. Të shohim çfarë po na urdhëron ai.” Kur arritën dhe i treguan të Dërguarit të Allahut ﷺ rreth ndodhisë, tha: “E si e dije që ajo (surja Fatiha) është rukje?” Pastaj tha: “Ia keni qëlluar. Ndajeni mes vete dhe lërmëni edhe mua një pjesë” - dhe qeshi. Ebu Abdullahu (Buhariu) transmeton nga Shuëbe se ka thënë: “Na ka treguar Ebu Bishri, e ky e ka dëgjuar këtë nga Ebu Mutevekili.””