“Ebu Abdullahu ka thënë: Transmeton Lejthiu, e këtij i ka treguar Xhafer ibn Rebia, e ky nga Abdurrahman ibn Hurmuzi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka treguar ndodhinë e një burri nga benu israilët: “Burri në fjalë i kërkoi një personi tjetër, po ashtu nga benu israilët, t'ia huazojë një mijë dinarë. Ai i tha: - Më sill disa dëshmitarë, që të dëshmojnë. - Na mjafton Allahu për dëshmitar, - ia ktheu i pari. - Ashtu është. Atëherë më sill një garantues, - tha huadhënësi. - Na mjafton Allahu për garantues. - E vërtetë, - ia ktheu huadhënësi. Kështu, ia dha paratë për një afat të caktuar. Ai i mori dhe u nis në det, e kreu punën e vet dhe pastaj filloi të kërkojë një anije për t'u kthyer me kohë, siç ishin marrë vesh, por nuk gjeti transport. Mori një dru, e shpoi dhe brenda tij futi një mijë dinarë së bashku me një letër për shokun e vet. Pastaj e mbylli vrimën, shkoi në det dhe tha: “O Allah! Ti e di se unë i kam huazuar prej filanit një mijë dinarë. Ai më kërkoi garantues, e unë i thashë se na mjafton Allahu për garantues dhe ai pranoi, si dhe më kërkoi dëshmitarë, e unë i thashë se na mjafton Allahu për dëshmitar dhe ai pranoi. Ndërkaq, unë kërkova gjithandej të gjej anije për t'ia kthyer borxhin, por nuk gjeta asgjë, andaj, këtë dru po e lë nën përkujdesjen Tënde”, - dhe e hodhi në det, i cili lundroi tutje. Pastaj u largua dhe vazhdoi të kërkonte anije për të shkuar në qytetin e shokut të vet. Personi tjetër, i cili i kishte dhënë borxh, doli të shikonte nëse kishte ardhur ndonjë anije për t'ia sjellë paratë dhe, ja, aty gjeti drurin në të cilin ndodheshin paratë e tij. Kështu, e mori që ta shfrytëzonte për djegie në shtëpi dhe, kur e çau, i gjeti paratë dhe letrën. Më pas, huamarrësi erdhi dhe ia solli një mijë dinarë dhe i tha: - Betohem në Allahun se vazhdimisht kam kërkuar anije për të t'i sjellë paratë, por nuk kam gjetur deri tani. - Mos vallë, më ke dërguar diçka? - i tha huadhënësi. - Po të them që deri tani nuk kam mundur të gjej anije, - ia ktheu i pari. - Allahu e ka dërguar në vend drurin që e ke nisur, andaj merri një mijë dinarët e tu dhe kthehu i udhëzuar, - tha huadhënësi.””