“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja, gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Që kur mbaj mend, prindërit e mi gjithmonë e kanë praktikuar fenë.”; Ebu Salihu ka thënë: Më ka treguar Abdullahu nga Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Që kur mbaj mend, prindërit e mi gjithmonë e kanë praktikuar fenë. Nuk kalonte ndonjë ditë pa na ardhur i Dërguari i Allahut ﷺ në dy skajet e ditës, mëngjes e mbrëmje. Kur muslimanët u sprovuan (nga torturat e jobesimtarëve kurejshë), Ebu Bekri u nis për t'u shpërngulur në Abisini dhe, kur arriti në Berk Gimad, e takoi Ibn Deginin, zotërinë e fisit karrah, i cili e pyeti: - Nga po shkon, o Ebu Bekër? - Më ka dëbuar populli im, ndërsa unë dua të jem i lirë në tokë dhe ta adhuroj Zotin, - ia ktheu Ebu Bekri. - Njerëz si ti as largohen, as dëbohen. Ti u jep nevojtarëve, i mban lidhjet farefisnore, u ndihmon të dobëtëve, i nderon e i ushqen mysafirët dhe i del në ndihmë atij që i bëhet padrejtësi. Andaj, unë do të të marr nën garancinë time, kështu që kthehu dhe adhuroje Zotin tënd në vendlindje, - tha Ibn Degini dhe u kthye së bashku me Ebu Bekrin (në Mekë). Kështu, shkoi te secili prijës kurejsh dhe u tha: “Ebu Bekri nuk është i atillë që largohet e dëbohet. Vallë, po e dëboni njeriun që u jep nevojtarëve, i mban lidhjet farefisnore, u ndihmon të dobëtëve, i nderon e i ushqen mysafirët dhe i del në ndihmë atij që i bëhet padrejtësi?” Kurejshët e respektuan besëlidhjen e Ibn Deginit, andaj nuk e kërcënuan më Ebu Bekrin, por Ibn Deginit i thanë: - Thuaji Ebu Bekrit ta adhurojë Zotin e tij në shtëpi. Le të falet e të lexojë ç'të dojë, por ne të mos na shqetësojë me të, të mos e shfaqë haptas, se kemi frikë se do t'i tundojë bijtë dhe gratë tona.” Ibn Degini ia tha këto gjëra Ebu Bekrit, i cili në atë rast filloi ta adhurojë Zotin në shtëpi. Nuk e ngrinte zërin gjatë namazit e as gjatë këndimit të Kuranit jashtë shtëpisë. Më pas iu mbush mendja për të ndërtuar një xhami pranë shtëpisë dhe për ta shfaqur haptas. Aty falej dhe lexonte Kuran. Gratë dhe bijtë e kurejshëve grumbulloheshin përreth dhe e shikonin me admirim. Ebu Bekri qante shpejt, nuk i mbante dot lotët kur lexonte Kuran. Kjo i frikësoi prijësit idhujtarë kurejshë, andaj dërguan dikë për ta thirrur Ibn Deginin dhe i thanë: “Ne e respektonim besëlidhjen tënde me Ebu Bekrin, me kusht që ai ta adhuronte Zotin e vet në shtëpi, por e ka kaluar kufirin: pranë shtëpisë ka ndërtuar një xhami, ku falet dhe lexon Kuran haptas! Ne frikësohemi se do t'i tundojë bijtë dhe gratë tona. Andaj, shko dhe, nëse do që ta adhurojë Zotin në shtëpi, le ta bëjë, e, nëse refuzon dhe dëshiron ta bëjë haptas, le të ta kthejë besëlidhjen, sepse ne nuk kemi dëshirë ta thyejmë besatimin me ty, e, në anën tjetër, nuk pajtohemi me veprimet e hapura të Ebu Bekrit. Kështu, Ibn Degini vajti tek Ebu Bekri dhe i tha: “Ti e di si jemi marrë vesh në besëlidhjen tonë. Ose mjaftohu me aq, ose ma kthe besën, sepse nuk dua që ndër arabë të përhapet se më është shkelur besa që i kam dhënë dikujt.” Ebu Bekri tha: “Po ta kthej besëlidhjen dhe po mjaftohem me besëlidhjen e Allahut.” Atëkohë, i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në Mekë. Ai tha: “Më është shfaqur vendi i hixhretit tuaj. Kam parë në ëndërr një shkretëtirë me hurma mes dy pllajave me gurë.” Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ e tha këtë, disa u shpërngulën (nga Meka) në Medinë e disa të tjerë u kthyen prej Abisinisë në Medinë, të cilët ishin shpërngulur më herët atje. Edhe Ebu Bekri u përgatit për hixhret, por i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Mos u ngut, sepse shpresoj se edhe mua do të më jepet leja (për hixhret) .” - A me të vërtetë po shpreson, me babë kurban t'u bëfsha? - e pyeti Ebu Bekri. - “Po”, - i tha Pejgamberi ﷺ. Kështu, Ebu Bekri u ndal për ta shoqëruar të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe, katër muaj rresht, tuboi ushqim për dy deve.”