“Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Shihabi, e ky nga Ameshi, e ky nga Zejd ibn Vehbiu se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa isha duke ndenjur me Pejgamberin ﷺ, e shikoi Uhudin dhe tha: “Edhe sikur të më shndërrohej i tëri në ar, asnjë dinar nuk do të kisha pasur dëshirë të më mbetej më shumë se tri ditë, përveç dinarit të rezervuar për kthim të borxhit.” Pastaj tha: “Të pasurit kanë më së pakti shpërblim, përveç atij që jep pasuri kështu e ashtu”, - Ebu Shihabi (transmetuesi i këtij hadithi) bëri me duar përpara, djathtas dhe majtas - “por të atillët janë të paktë.” Pastaj më tha: - “Prit aty ku je” , dhe shkoi më tutje. Dëgjova një zë dhe doja të shkoja të shikoja, por m'u kujtua se më tha: “Prit derisa të kthehem.” Kur u kthye, i thashë: - O i Dërguari i Allahut, zërin që dëgjova? - “E dëgjove, vallë?” - Po. - “Erdhi Xhibrili ﷺ dhe më tha: “Kushdo që vdes prej umetit tënd, duke mos i bërë shirk Allahut, do të hyjë në Xhenet.” - Edhe nëse bën këtë e atë vepër? - “Po ”, - m'u përgjigj Pejgamberi ﷺ.””