“Jahja ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Velid ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Evzaiu, e këtij i ka treguar Jahja ibn Ebu Kethiri, e këtij i ka treguar Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Allahu ia mundësoi Pejgamberit ﷺ ta çlirojë Mekën, u ngrit mes njerëzve, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “Allahu e ka ndaluar vrasjen në Mekë dhe e ka vënë Mekën nën pushtetin e Pejgamberit ﷺ dhe besimtarëve. Lufta në të nuk i është lejuar askujt para meje, ndërsa mua më është lejuar vetëm për një pjesë të ditës, e po ashtu nuk i lejohet askujt pas meje. Në të nuk lejohet trazimi i kafshëve, as shkulja e gjembave, si dhe nuk merret gjëja e humbur, përveç nëse njofton për të. Familja e të vrarit ka dy zgjedhje: o shpaguhet gjaku i të vrarit , o merret hak për të (ekzekutohet vrasësi) .” Abasi i tha: - Përveç idhhirit, sepse me të i mbulojmë varret dhe shtëpitë tona. - “Përveç idhhirit” , - tha i Dërguari i Allahut ﷺ. Ebu Shahu, një person nga Jemeni, tha: “Ma shkruaj këtë, o i Dërguari i Allahut!” - “Shënojani këto gjëra Ebu Shahut”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ. Velid ibn Muslimi tregon: “E pyeta Evzaiun: “Çfarë nënkupton fjala e tij: “Ma shkruaj këtë, o i Dërguari i Allahut!” - E kishte fjalën për hutben që e kishte dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ, - iu përgjigj Evzaiu.””