“Halid ibn Mahledi na ka thënë: Na ka treguar Sulejman ibn Bilali, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Dinari se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omer ibn Hatabi pa një njeri duke shitur një palë rroba të reja, andaj i tha Pejgamberit ﷺ: - Bliji këto rroba dhe vishi ditën e premte dhe nëpër takime me delegacione? - “Këto i veshin vetëm ata që nuk kanë hise në botën tjetër” , - i tha Pejgamberi ﷺ. Pas një kohe, të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën disa palë rroba prej mëndafshi, prej të cilave, një palë ia dërgoi Omerit. Omeri shkoi e i tha: - E si t'i vesh, ndërkohë për rrobat e tilla ti the fjalë jo të mira. - “Nuk t'i kam dërguar për t'i veshur ti, por mund t'i shesësh ose t'ia dhurosh ndokujt” , - i tha Pejgamberi ﷺ. Kështu, Omeri ia dërgoi vëllait të vet idhujtar që ishte në Mekë, para se të bëhej musliman.”