“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Harixh ibn Zejd Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Umu Alai, - një grua nga familja e tij, - e cila i kishte dhënë besën Pejgamberit ﷺ, i ka treguar se Othman ibn Medhunit i ra shorti të vijë te ne kur ensarët hodhën short për t'i strehuar muhaxhirët në Medinë. Kështu, Othman ibn Medhuni banonte te ne. E kaploi një sëmundje, andaj ne e mjekuam dhe u kujdesëm derisa vdiq e pastaj e qefinosëm me rrobat e tij. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi te ne, unë thashë: “Mëshira e Allahut qoftë mbi ty, o Ebu Saib (Othman ibn Medhuni)! Unë jam dëshmitare jotja që Allahu të ka nderuar.” Pejgamberi ﷺ më tha: “E ku e di ti se Allahu e ka nderuar?” I thashë: “Nuk e di, t'u bëfsha kurban me babë e nënë, o i Dërguari i Allahut!” Ai më tha: “Sa i përket Othmanit, atij i ka ardhur e vërteta (vdekja) dhe unë shpresoj për të mirësinë. Betohem në Allahun se as unë, edhe pse jam i Dërguari i Allahut, nuk di ç'do të bëhet me mua.” Pastaj thashë: “Betohem në Allahun se më s'do të lavdëroj askënd.” Më pas u pikëllova nga kjo gjë dhe, në gjumë, e pashë Othmanin në ëndërr tek po i rridhte një lumë. Shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tregova, e ai më tha: “Ajo është vepra e tij.””