“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, i cili ka thënë: Më ka rrëfyer Amiri, i biri i Sad ibn Ebu Vekasit, se Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut ﷺ u dha disa personave, e unë isha ulur pranë tyre, por anashkaloi një burrë për të cilin mendoja se ishte më i miri.” I thashë: - O i Dërguari i Allahut, çfarë ke me filanin që nuk i dhe? Betohem në Allahun se unë e njoh për besimtar. - “Apo thjesht për musliman?” - tha Pejgamberi ﷺ. Heshta pak, por gjërat që dija për të më shtynë t'i thosha, kështu që iu ktheva sërish fjalës sime dhe thashë: - Çfarë ke me filanin që nuk i dhe? Betohem në Allahun se unë e njoh për besimtar. - “Apo thjesht për musliman?” - tha Pejgamberi ﷺ. Akoma nuk më linte të qetë ajo që kisha përbrenda, kështu që e përsërita pyetjen time, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ ma ktheu të njëjtën përgjigje dhe tha: “O Sad, unë mund t'i jap një njeriu, edhe pse dikush tjetër mund të jetë më i dashur për mua se ai, nga frika se Allahu mund ta hedhë në Zjarr.” Hadithin po ashtu e transmetojnë Junusi, Salihu, Mameri dhe i biri i vëllait të Zuhriut, nga Zuhriu.”