“Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ebu Musai se Hasen Basriu ka thënë: “Betohem në Allahun se Hasen ibn Aliu e ka pritur Muaviun me batalione të mëdha sa kodrat. Amër ibn Asi ka thënë: “Këto batalione që po i shoh, nuk mendoj se do të kthehen pa i vrarë kundërshtarët e vet.” Muaviu, - i cili, për Allahun, ishte më i miri nga të dy, - ia ktheu: “O Amër, nëse këta i vrasin ata, e ata i vrasin këta, kush do të përkujdeset për njerëzit? Kush do të kujdeset për gratë e tyre? Për pasuritë e tyre?” Kështu, i dërgoi dy burra kurejshë nga familja benu abdushems: Abdurrahman ibn Semuren dhe Abdullah ibn Amir ibn Kurejzin, dhe u tha: “Shkoni te ky burrë, i tregoni përse keni shkuar dhe jini këmbëngulës gjatë kërkesës.” Ata shkuan dhe folën me të e u treguan këmbëngulës. Hasen ibn Aliu u tha: “Ne, benu abdulmutalibët, kemi trashëguar nga kjo pasuri (me të cilën i kemi pajtuar njerëzit mes vete), ndërsa ky umet është përmbytur në gjakun e vet.” Ata i thanë: “Ai po të ofron këtë e atë dhe po kërkon prej teje me ngulm.” - E kush ma garanton këtë? - u tha Haseni. - Ne ta garantojmë, - iu përgjigjën ata. Sa herë që Haseni u kërkonte diç, ata i përgjigjeshin: “Ne të garantojmë.” Më në fund ranë dakord dhe Haseni u tha: “E kam dëgjuar Ebu Bekreten (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të thotë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ në minber me Hasen ibn Aliun anash, herë kthehej nga njerëzit, herë nga Haseni, e u thoshte: “Ky biri im është zotëri. Shpresoj që Allahu nëpërmjet tij t'i pajtojë dy grupe të mëdha të muslimanëve.” Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Ali ibn Abdullahu më ka thënë: “Na është vërtetuar se Haseni e ka dëgjuar këtë hadith nga Ebu Bekrete.””