“Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Zekerija, e ky e ka dëgjuar Amirin se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po udhëtoja hipur mbi një deve të lodhur, Pejgamberi ﷺ kaloi pranë dhe e goditi devenë duke bërë dua për të. Deveja filloi të ecë shpejt si kurrë më parë. Pastaj Pejgamberi ﷺ më tha: “Shitma për një okë (ari). ” - Jo, - ia ktheva. - “Shitma për një okë (ari) !” - më tha sërish Pejgamberi ﷺ. Atëherë ia shita dhe ia kushtëzova që ta shaloj deri në shtëpi. Kur arritëm në shtëpi, shkova dhe ia çova devenë, ndërsa ai m'i dha paratë. Pasi isha larguar, ai kishte dërguar dikë të më kërkojë dhe më tha: “Nuk doja të ta merrja devenë, prandaj merre devenë, sepse ajo është pasuri jotja.” Shuëbe transmeton nga Mugire, e ky nga Amiri se Xhabiri ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ma lejoi ta shaloj deri në Medinë.” Is'haku transmeton nga Xheriri, e ky nga Mugire (se Xhabiri tha): “Ia shita devenë me kusht që ta shaloj deri në Medinë.” Atai dhe disa të tjerë, në një transmetim, përmendin (se Pejgamberi ﷺ i ka thënë Xhabirit): “Po ta lë ta shalosh deri në Medinë.” Muhamed ibn Munkediri transmeton nga Xhabiri: “... ia kushtëzoi shalimin e devesë deri në Medinë.” Zejd ibn Eslemi transmeton prej Xhabirit se (Pejgamberi ﷺ i ka thënë): “... dhe ke të drejtë ta shalosh derisa të kthehesh.” Ebu Zubejri transmeton prej Xhabirit se (Pejgamberi ﷺ i ka thënë): “... po ta lë ta shalosh deri në Medinë.” Ameshi transmeton nga Salimi, e ky nga Xhabiri se (Pejgamberi ﷺ i ka thënë): “... merre dhe shko me të deri në shtëpi.” Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: “Kushtëzimi është përmendur më shpesh dhe është më i saktë tek unë (në transmetimet e hadithit të Xhabirit).” Ubejdullahu dhe Ibn Is'haku transmetojnë nga Vehbiu, e ky nga Xhabiri se ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ma bleu për një okë”. Zejd ibn Eslemi e fuqizon transmetimin e Vehbiut nga Xhabiri. Ibn Xhurejxhi transmeton nga Atai dhe të tjerë, e këta nga Xhabiri se (Pejgamberi ﷺ) e pati blerë me katër dinarë. Kjo është e barabartë me një okë, nëse dinari llogaritet sa dhjetë dërhemë. Mugire nuk ka sqaruar sa ka qenë çmimi, në transmetimin e tij nga Shabiu, e ky nga Xhabiri, e ky nga Ibn Munkediri dhe Ebu Zubejri, kurse Ameshi transmeton nga Salimi, e ky nga Xhabiri se ka thënë: “Një okë ari.” Ebu Is'haku transmeton nga Salimi, e ky nga Xhabiri se ka thënë: “... me dyqind dërhemë.” Davud ibn Kajsi transmeton nga Ubejdullah ibn Miksemi, e ky nga Xhabiri se (Pejgamberi ﷺ) e ka blerë devenë në rrugën e Tebukut, - kujtoj se ka thënë: “... katër okë.” Ebu Nadri transmeton nga Xhabiri se ka thënë: “(Pejgamberi ﷺ) e ka blerë njëzet dinarë.” Ndërkaq, për fjalën e Shabiut: “Me një okë e më shumë”, imam Buhariu ka thënë: “Kushtëzimi është përmendur më shpesh dhe është më i saktë tek unë.””