“Ismaili na ka thënë: Më ka rrëfyer Abdulaziz ibn Abdullah ibn Ebu Seleme, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur zbriti ajeti: “Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, derisa të ndani një pjesë nga ajo që e doni...”, (Ali Imran, 92) Ebu Talhai erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, Allahu i Madhëruar po thotë në Librin e Tij: “Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, derisa të ndani një pjesë nga ajo që e doni...”, (Ali Imran, 92) e pasuria ime më e dashur është Bejruha, - që ishte një kopsht, ku i Dërguari i Allahut ﷺ hynte për të pushuar dhe për të pirë ujë, - andaj, po e jap lëmoshë për Allahun, duke shpresuar mirësinë dhe shpërblimin e saj tek Allahu. E ti, o i Dërguari i Allahut, jepe ku të udhëzon Allahu.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Të lumtë, o Ebu Talha! Kjo është pasuri fitimprurëse. Po ta pranoj dhe po ta kthej ty sërish, që t'ua japësh farefisit tënd.” Kështu, Ebu Talhai (kopshtin) ua ndau farefisit të tij, që ishin edhe Ubeji dhe Hasani. Hasani, pjesën e vet, ia shiti Muaviut. Dikush i tha: “Po e shet sadakanë e Ebu Talhait?” Ai tha: “Vallë, të mos e shes një saë hurma për një saë dërhem?” Ai kopsht ishte në vendndodhjen e kështjellës së benu hudejlëve, të cilën e kishte ndërtuar Muaviu.””