“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Urve ibn Zubejri tregon se e ka pyetur Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për ajetin: “Nëse keni frikë se nuk bëni drejtësi ndaj jetimeve, atëherë, martohuni me ato gra që ju pëlqejnë...” (Nisa, 3) Aishja kishte thënë: “Fjala është për jetimen që jeton në shtëpinë e kujdestarit të saj, ndërsa atij i pëlqen pasuria dhe bukuria e saj, kështu që dëshiron të martohet me të pa treguar drejtësi në mehrin ndaj saj, rrjedhimisht nuk ia jep mehrin sikurse të tjerave. Ndaj, u është ndaluar të martohen me to, përveç nëse tregohen të drejtë dhe u japin mehër aq sa u takon sipas traditës, ndërsa u është lejuar të martohen me këdo prej grave të tjera.” Aishja vazhdon: “Por, njerëzit sërish e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ (rreth kësaj çështjeje) dhe Allahu e zbriti ajetin: “Ata kërkojnë prej teje (o Muhamed) që t'i sqarosh lidhur me çështjet e grave. Thuaju: “Për çështjet e tyre ju sqarojnë Allahu dhe Libri që ju lexohet, si për femrat jetime, të cilave nuk u jepni dhuratën e caktuar për to, edhe pse dëshironi të martoheni me to...” (Nisa, 127) Pra, Allahu ua sqaroi në këtë ajet se, nëse jetimja është e pasur dhe e bukur, njerëzit lakmojnë për të, por nuk ia japin mehrin aq sa i takon. E, nëse për shkak të mungesës së pasurisë e bukurisë nuk e lakmojnë, e lënë atë dhe kërkojnë gra të tjera.” Urve thotë: “Pra, ashtu siç e lënë, për shkak të mungesës së pasurisë dhe bukurisë, asisoj nuk u lejohet të martohen me të kur ajo është e kërkueshme (për shkak të pasurisë dhe bukurisë), përveç nëse tregohen të drejtë dhe ia japin mehrin aq sa i takon.””