“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Sinan ibn Ebu Sinani dhe Ebu Seleme, e këtyre dyve u ka treguar Xhabiri. Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Shihabi, e ky nga Sinan ibn Ebu Sinan Dueliu se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se ka luftuar bashkë me Pejgamberin ﷺ në një betejë dhe, gjatë rrugës, ishin ndalur të pushojnë në një luginë që kishte pemë të shumta. Njerëzit u shpërndanë duke u strehuar nëpër hije pemësh, ndërsa Pejgamberi ﷺ u strehua në hijen e një peme, në të cilën vari shpatën e tij dhe fjeti. Papritmas Pejgamberi ﷺ u zgjua dhe gjeti një beduin pranë, i cili ishte afruar pa u hetuar. Pastaj, Pejgamberi ﷺ na tha: “Ky person ma mori shpatën fshehurazi dhe më tha: “Kush do të të shpëtojë prej meje?” I thashë: “Allahu.” Andaj, ai e vendosi shpatën në këllëf dhe ja ku është ulur atje.” Pejgamberi ﷺ nuk e dënoi.”