“Amër ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Ebu Is'haku se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Uhudit, Pejgamberi ﷺ e caktoi Abdullah ibn Xhubejrin komandant të këmbësorëve, të cilët ishin rreth pesëdhjetë burra, dhe tha: “Edhe nëse shihni të na rrëmbejnë shpendët, asnjë të mos lëvizë nga ky vend, derisa të dërgojmë dikë t'ju thërrasë. Por, edhe nëse na shihni të triumfojmë dhe ta kemi shkelur armikun, mos lëvizni asnjë nga ky vend, derisa të dërgojmë dikë t'ju thërrasë.” Dhe, triumfuan. Betohem në Allahun se, edhe gratë i shihja të përpiqeshin me mund gjatë betejës, saqë u dukeshin edhe hallkat e këmbëve, teksa i kishin përvjelë rrobat. Ata që ishin nën komandën e Abdullah ibn Xhubejrit thirrën: “Plaçka e luftës, o burra, plaçka e luftës! Shokët tuaj triumfuan, çfarë po prisni?!” Abdullah ibn Xhubejri u tha: “Vallë, harruat çfarë ju tha i Dërguari i Allahut ﷺ?” Ata thanë: “Për Allahun, do t'u bashkëngjitemi të tjerëve, që të marrim nga plaçka e luftës.” Kështu, iu bashkëngjitën njerëzve në fushëbetejë dhe u hutuan. Kur lajmëtari i Pejgamberit ﷺ i thirri nga mbrapa, ata u kthyen të mposhtur, ndërsa me Pejgamberin ﷺ kishin mbetur vetëm dymbëdhjetë veta. Armiku tanimë i kishte vrarë shtatëdhjetë ushtarë tanët, ndërsa Pejgamberi ﷺ me shokët e vet, në Luftën e Bedrit, i kishte mundur njëqind e dyzet burra nga idhujtarët: shtatëdhjetë robër lufte e shtatëdhjetë të tjerë i kishte vrarë. Atëherë, Ebu Sufjani thirri tri herë: “A është Muhamedi në mesin tuaj?” Por, Pejgamberi ﷺ i ndaloi të përgjigjen. Sërish thirri tri herë: “A është Ibn Ebu Kuhafe (Ebu Bekri) në mesin tuaj?” Përsëri thirri tri herë: “A është Ibn Hatabi në mesin tuaj?” Pastaj u kthye te shokët e vet e u tha: “Këta i kemi vrarë.” Por, Omeri nuk mundi ta mbajë veten dhe thirri: “Për Allahun, po gënjen, o armik i Allahut! Ata që i përmende janë gjallë, që të gjithë. Ndërkaq, ty po të pret diçka edhe më e keqe.” Ebu Sufjani ia ktheu: “Kjo ditë është në këmbim të ditës së Bedrit, ndërsa lufta është e ndërsjellë. Do të gjeni në mesin e të vrarëve të masakruar, për të cilët unë nuk kam urdhëruar të masakrohen, por, njëherazi, nuk ndihem keq për këtë. Pastaj filloi të recitojë poezi: “Lartësohu, o Hubel, lartësohu!” Pejgamberi ﷺ tha: “A nuk do t'i përgjigjeni?” - Çfarë të themi, o i Dërguari i Allahut? - thanë muslimanët. - “Thoni: “Allahu është më i Larti dhe më Hyjnori.” Ebu Sufjani tha: “Ne e kemi Uzanë, kurse ju nuk keni Uza.” Pejgamberi ﷺ tha: “A nuk do t'i përgjigjeni?” - Çfarë të themi, o i Dërguari i Allahut? - pyetën muslimanët. - “Thoni: “Allahu është Mbrojtësi ynë, kurse ju nuk keni Mbrojtës.””