“Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Seid ibn Mesruku, e ky nga Abade ibn Rifaje se Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur ishim në Dhul Hulejfe me Pejgamberin ﷺ, njerëzit i kaploi uria, dhe, meqë kishin fituar shumë deve e dele, njerëzit nxituan dhe i përgatitën kusitë (për zierjen e mishit), - ndërsa Pejgamberi ﷺ ishte nga fundi i karvanit. - Kur arriti, Pejgamberi ﷺ urdhëroi të derdheshin kusitë, pastaj i ndau bagëtitë dhe i barazoi dhjetë dele me një deve. Papritmas, një deve iku dhe, meqë atëkohë kishte pak kuaj, njerëzit e kërkuan gjatë, derisa u rraskapitën. Por, një burrë i hipi një kali dhe iu vërsul devesë, e gjuajti me një shtizë dhe, deshi Allahu që ai ta godasë e ta zërë. Pejgamberi ﷺ tha: “Ndonjëherë bagëtitë egërsohen sikurse kafshët e egra. E, nëse ndodh që t'ju ikin kësisoj, atëherë veproni në këtë mënyrë (sikurse sahabiu në fjalë) .” Rafiu i tha Pejgamberit ﷺ: “Mendojmë se, - ose ka thënë: Kemi frikë se, - armiku do të na sulmojë nesër, ndërkohë nuk kemi thika (për të therur bagëtitë). Vallë, të therim me kallam?” - “Çfarëdo që e derdh gjakun dhe përmendet emri i Allahut gjatë therjes së saj, hajeni, përveç (nëse derdhet gjaku) me dhëmb ose me thua. Po ju shpjegoj për çfarë është fjala: sa i përket dhëmbit, (ndalohet) sepse është asht, ndërsa thoi për shkak se etiopasit e përdornin në vend të thikës”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.””