“Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jusuf ibn Maxhishuni, e ky nga Salihu, i biri i Ibrahimit, i biri i Abdurrahman ibn Aufit, e ky nga babai i tij, e pastaj nga gjyshi i tij Abdurrahman ibn Aufi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po qëndroja në rresht ditën e Bedrit, shikova djathtas dhe majtas, ku pashë dy djelmosha të rinj ensarë. Kisha dëshirë të isha mes dikujt më të fuqishëm se këta.” Njëri prej tyre më preku dhe më tha: “O xhaxha, e njeh Ebu Xhehlin?” - Po, - i thashë. - Çfarë po të duhet ai, o djali i vëllait tim? - Kam dëgjuar se ai e shan të Dërguarin e Allahut ﷺ. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se, nëse e shoh, nuk do t'i ndahem derisa të vdes njëri prej nesh, - tha djaloshi. Kjo gjë më habiti. Papritmas, më preku tjetri dhe m'i tha të njëjtat gjëra. Nuk kaloi shumë kohë derisa e pashë Ebu Xhehlin të ecë ndër njerëz dhe u thashë: “Ja, ky është burri që po kërkoni.” Ata ia mësynë atij me shpata dhe e goditën derisa e vranë. Pastaj shkuan te Pejgamberi ﷺ dhe i treguan.” Pejgamberi ﷺ u tha: - “Cili prej jush e vrau?” - Unë e vrava, - thanë të dy. - “I keni fshirë shpatat?” - i pyeti Pejgamberi ﷺ. - Jo, - thanë ata. I Dërguari i Allahut ﷺ ua shikoi shpatat dhe tha: - “Të dy e paskeni vrarë.” Preja e Ebu Xhehlit i takoi Muadh ibn Amër ibn Xhemuhut. Dy djelmoshat ishin: Muadh ibn Afra dhe Muadh ibn Amër ibn Xhemuhi.” Muhamedi ka thënë: “Jusufi e ka dëgjuar Salihun dhe Ibrahimin nga babai i tyre (Abdurrahman ibn Aufi).””