“Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Ibn Eflahu, e ky nga Ebu Muhamedi, i çrobëruari i Ebu Katades se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Vitin e Betejës së Hunejnit u nisëm me të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe, kur u ballafaquam me armikun, muslimanët pësuan një thyerje. Pashë një idhujtar t'i kishte hipur sipër një muslimani, andaj u tërhoqa, i shkova nga mbrapa dhe e godita me shpatë në qafë. Ai u kthye nga unë, më mbërtheu aq fort, saqë e nuhata erën e vdekjes. Kur e kaploi vdekja, më lëshoi dhe unë iu bashkëngjita Omer ibn Hatabit dhe i thashë: “Çfarë po ndodh me ushtrinë?” Ai më tha: “Caktimi i Allahut.” Pasi ushtria u kthye, Pejgamberi ﷺ u ul dhe tha: “Atij që ka vrarë ndonjë armik dhe ka dëshmi për këtë, i takon preja e të vrarit (mjetet e luftës) .” Unë u ngrita dhe thashë: “Kush dëshmon për mua?” Pastaj u ula. I Dërguari i Allahut ﷺ tha sërish: “Atij që ka vrarë ndonjë armik dhe ka dëshmi për këtë, i takon preja e të vrarit (mjetet e luftës) .” Unë u ngrita dhe thashë: “Kush dëshmon për mua?” Pastaj u ula. Pejgamberi ﷺ për së treti tha të njëjtën gjë dhe unë u ngrita, por Pejgamberi ﷺ ma priti duke thënë: “Çfarë ke, o Ebu Katade?” - andaj ia tregova ndodhinë. Një burrë tha: “Ashtu është, o i Dërguari i Allahut, ndërsa prenë e armikut e kam unë, por kompensoja atij me diçka, e kjo të më mbetet mua .” Ebu Bekër Sidiku tha: “Jo, për Allahun!” Atëherë, po i bie që Pejgamberi ﷺ të ta japë ty plaçkën e njërit prej luanëve të Allahut, i cili lufton për Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ.” Pejgamberi ﷺ tha: “Ashtu është” - dhe ma dha prenë. Parzmoren e shita dhe bleva një kopsht hurmash në fisin benu selime. Kjo ishte pasuria e parë që e fitova si musliman.””