“Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Evzaiu, e ky nga Zuhriu, e ky nga Seid ibn Musejebi dhe Urve ibn Zubejri se Hakim ibn Hizami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I lypa të Dërguarit të Allahut ﷺ, e ai më dha. I lypa sërish, e ai më dha sërish, por në atë rast më tha: “O Hakim, pasuria është jeshil dhe e ëmbël. Atij që e merr me zemërgjerësi, i ka bereqet. Ndërkaq, atij që e merr me egoizëm, nuk i ka bereqet, sikurse ai që ha e nuk ngopet. Dora e sipërme është më e mirë sesa dora e poshtme.” Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, betohem në Atë, që të ka dërguar me të vërtetën, se, pas teje, nuk do t'i lyp askujt, derisa të dal nga kjo botë.” Më pas, Ebu Bekri e ftonte Hakimin për t'i dhënë, por ai nuk pranonte. Njëjtë edhe Omeri, e ftoi për t'i dhënë, por ai nuk i mori asgjë. Omeri tha: “O ju muslimanë, Hakimit ia ofrova pjesën e tij të plaçkës së luftës, por nuk e pranoi.” Pas Pejgamberit ﷺ, Hakimi nuk i ka lypur askujt, deri në vdekje.””