“Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ebu Vaili se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Hunejnit, Pejgamberi ﷺ u dha përparësi disave në shpërndarjen e plaçkës së luftës. Akra ibn Habisit ia dha njëqind deve, e edhe Ujejnes. Edhe disa fisnikëve të tjerë arabë u dha përparësi në shpërndarjen e presë.” Një burrë tha: “Betohem në Allahun se kjo ndarje e presë nuk qe e drejtë dhe me të nuk u synua kënaqja e Allahut.” Unë thashë: “Për Allahun, do t'i tregoj Pejgamberit ﷺ.” Kështu, shkova dhe i tregova.” Ai tha: “Kush do të sjellë drejtësi, nëse Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk sjellin?! Allahu e mëshiroftë Musain: ai është fyer edhe më rëndë se kaq dhe, megjithatë, ka duruar.””