“Is'hak ibn Ibrahimi më ka thënë: Na ka treguar Revh ibn Ubade, e këtij i ka treguar Aufi, e ky nga Haseni, Muhamedi dhe Hilasi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Musai ﷺ ka qenë i turpshëm dhe, nga turpi, ruhej të mos i zbulohej asnjë pjesë trupi. Disa benu israilë e ofenduan dhe thanë: “Ai me siguri ka ndonjë mangësi në lëkurë, përndryshe nuk do ta fshihte lëkurën kaq shumë, ose është zgjebosur, ose ka fryrje të organeve gjenitale, ose ndonjë sëmundje tjetër.” Por, Allahu deshi ta pastrojë Musain nga shpifjet e tyre. Një ditë, kur Musai shkoi të lahej i vetëm, i vendosi rrobat e veta në një gur dhe, pasi u pastrua, shkoi të marrë rrobat, por guri filloi të ikë së bashku me rrobat e tij. Musai mori shkopin e vet dhe filloi të kërkojë gurin duke thirrur: “Rrobën time, o gur! Rrobën time, o gur!” derisa arriti përballë një grupi benu israilësh, të cilët e panë Musain të zhveshur, në formën më të përsosur, siç e kishte krijuar Allahu, dhe e pastroi nga shpifjet e tyre. Pasi e arriti gurin, Musai e mori rrobën e tij dhe filloi ta godasë gurin me shkop.” Ebu Hurejra thotë: “Betohem në Allahun se në atë gur ende duken shenjat e atyre goditjeve: tri, katër ose pesë goditje. Për këtë gjë flet ajeti: “O besimtarë, mos u bëni si ata, që e fyen Musain. Allahu e çliroi atë nga përgojimet e tyre; ai, tek Allahu, është i nderuar.” (Ahzab, 69)”