“Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Hazimi, e ky nga Muhamed ibn Sirini se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Vetëm tri foshnja kanë folur qysh kur kanë qenë në djep: 1. Isai. 2. Ndër benu israilë ishte një burrë që quhej Xhurejxh. Një ditë, teksa falej, e thirri e ëma, por ai thoshte me vete: “Vallë, t'i përgjigjem apo të falem?” Atëherë nëna e tij tha: “O Zoti im, bëj që Xhurejxhi të mos vdesë pa hasur në fytyrat e lavireve!” Kështu, teksa Xhurejxhi ishte në faltoren e tij, një grua iu fut brenda dhe i foli për ta joshur, por ai refuzoi. Atëherë ajo shkoi te një çoban, të cilin e joshi dhe më pas lindi një fëmijë, për të cilin tha se e kishte me Xhurejxhin. Populli vajtën e ia prishën faltoren, e nxorën jashtë dhe filluan ta shajnë Xhurejxhin. Ai mori abdes, u fal, pastaj shkoi te foshnja dhe iu drejtua: “Oj foshnjë, kush është babai yt?” Foshnja iu përgjigj: “Çobani.” Atëherë, populli i thanë: “Po të ndërtojmë një faltore prej ari.” Por Xhurejxhi u tha: “Jo, vetëm prej balte.” 3. Një grua e benu israilëve, teksa po i jepte gji djalit të vet, pa një kalorës me famë, që po kalonte pranë dhe tha: “O Allah, bëje djalin tim sikurse ky!” Por, foshnja e la gjirin e nënës, u drejtua nga kalorësi dhe tha: “O Allah, mos më bëj si ai”, pastaj iu kthye gjirit dhe vazhdoi të thithte.” Ebu Hurejra thotë: “ Sikur po e shoh tani Pejgamberin ﷺ teksa po e thithte gishtin e vet (duke përshkruar veprimin e foshnjës)”, pastaj vazhdoi: “Pastaj, aty pranë kaloi një robëreshë dhe gruaja në fjalë tha: “O Allah, mos e bëj djalin tim sikurse kjo!” Por, foshnja ndaloi së thithuri dhe tha: “O Allah më bëj si ajo!” Nëna i tha të birit: “Pse kështu?” Ai iu përgjigj: “Kalorësi është diktator, ndërsa kjo robëreshë, së cilës i thonë: “Ke vjedhur e ke bërë zina”, porse nuk ka bërë diçka të tillë.””