“Ahmed ibn Is'haku më ka thënë: Na ka treguar Amër ibn Asimi, e këtij i ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Is'hak ibn Abdullahu, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Ebu Amra, e këtij i ka treguar Ebu Hurejra, e ky e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ. [t]: Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Rexhai, e këtij i ka rrëfyer Hemami, e ky nga Is'hak ibn Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Abdurrahman ibn Ebu Amra se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Allahu deshi t'i sprovojë tre njerëz nga benu israilët: një zgjebanik, një të verbër dhe një qeros. Kështu, u dërgoi një melek, i cili shkoi te zgjebaniku dhe i tha: “Ç'do të dëshiroje më së shumti?” Ai tha: “Ngjyrë dhe lëkurë të mirë, sepse njerëzit po neveriten nga unë.” Me ta fërkuar meleku me dorë, zgjeba iu largua dhe fitoi ngjyrë e lëkurë të mirë . Pastaj, meleku i tha: “Cilën pasuri dëshiron më së shumti? Ai tha: “Devetë - ose lopët, - (nuk i kujtohet saktë transmetuesit) .” Kështu, meleku i dha një deve barrsë dhe i tha: “Allahu të bekoftë me të!” Pastaj shkoi te qerosi dhe i tha: “Ç'do të dëshiroje më së shumti?” Ai tha: “Flokë të bukur dhe të më largohet kjo (sëmundje) , sepse njerëzit po neveriten nga unë.” Meleku e fërkoi dhe ai u shërua e i dolën flokë të bukur. Meleku i tha: “Cilën pasuri dëshiron më së shumti?” Q erosi i u përgjigj: “ Lopët.” Meleku i dha një lopë barrsë dhe i tha: “Allahu të bekoftë me të!” Së treti, meleku shkoi tek i verbri dhe i tha: “Ç'do të dëshiroje më së shumti?” I verbri tha: “Të ma kthejë Allahu shikimin, që të mund t'i shoh njerëzit.” Meleku e fërkoi dhe Allahu ia ktheu shikimin. Meleku e pyeti: “Cilën pasuri dëshiron më së shumti?” I verbri iu përgjigj: “Dhentë!” Kështu, meleku i dha një dele barrsë. Të treve u pollën bagëtitë dhe njëri bëri një luginë me deve, i dyti një luginë me lopë dhe i treti një luginë me dele. Pas kësaj meleku i vajti zgjebanikut në formën dhe pamjen e tij të mëparshme (si zgjebanik i varfër) dhe i tha: “Jam një nevojtar dhe kam mbetur në rrugë, nuk kam kujt t'i kërkoj ndihmë sot përveç Allahut, pastaj ty, andaj po të lutem në emrin e Atij që të ka dhënë ngjyrë e lëkurë të bukur dhe deve të shumta, të më japësh një deve, që të mund ta vazhdoj rrugën.” Ai (ish-zgjebaniku, tani pasanik) tha: “Nuk mundem, kam shumë obligime të tjera.” Meleku i tha: “Sikur po të njoh. Vallë, mos ke qenë zgjebanik, nga i cili neveriteshin njerëzit, dhe i varfër, të cilin e ka pasuruar Allahu?” Ai tha: “Unë këtë pasuri e kam trashëguar nga të parët e mi të mëdhenj.” Meleku i tha: “Nëse po gënjen, Allahu të ktheftë në gjendjen e mëparshme!” Pastaj, meleku shkoi te ish-i qerosi, në formën dhe pamjen e tij të mëparshme (si qeros i varfër) dhe i tha ashtu siç i tha zgjebanikut, por edhe ky iu përgjigj njëjtë sikurse i pari. Atëherë, meleku tha: “Nëse po gënjen, Allahu të ktheftë në gjendjen e mëparshme!” Pastaj meleku shkoi tek ish-i verbri, por në formën dhe pamjen e tij të mëparshme (i verbër e i varfër) , dhe i tha: “Jam një nevojtar dhe kam mbetur në rrugë, nuk kam kujt t'i kërkoj ndihmë sot, përveç Allahut, pastaj ty, andaj po të lutem në emrin e Atij që ta ka kthyer shikimin, më jep një dele, që (ta shfrytëzoj dhe) të vazhdoj rrugën.” Ai (ish-i verbri) tha: “Vërtet unë kam qenë i verbër, por Allahu ma ka kthyer shikimin, dhe kam qenë i varfër, por Allahu më ka pasuruar. Andaj, merr ç'të duash! Betohem në Allahun se do të ta di për nder për çfarëdo që merr për hir të Allahut.” Meleku i tha: “Mbaje krejt pasurinë! Ju po sprovoheshit. Allahu është i kënaqur me ty, kurse është i hidhëruar me dy shokët e tu.””