“Ismail ibn Halili na ka thënë: Na ka rrëfyer Ali ibn Mus'hiri, e ky nga Ubejdullah ibn Omeri, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ u ka treguar: “Tre persona nga popujt para jush, teksa po udhëtonin, i zuri shiu, andaj u strehuan në një shpellë, e cila, papritmas, u mbyll (nga një gur i madh) . Atëherë i thanë njëri-tjetrit: “O burra, betohem në Allahun se (tani) nuk do të na shpëtojë asgjë, përveç sinqeritetit (në Allahun) . Andaj, secili prej nesh ta lusë Allahun me ndonjë vepër që e ka vepruar sinqerisht.” Njëri tha: “O Allah! Ti e di që unë kisha marrë një punëtor me pagesë në këmbim të një shporte orizi, por ai u largua dhe e la pagesën. Më pas, shportën me oriz e mbolla dhe erdhi puna që me të (fitimin e saj) të blej ca lopë. Pas njëfarë kohe, ai u kthye ta kërkojë hisen e vet, andaj i thashë: “Shko tek ato lopë dhe merri të gjitha.” Më tha: “Te ti më ka mbetur vetëm një shportë me oriz.” I thashë: “Shko merri ato lopë, sepse janë fituar po me atë shportë oriz.” Kështu, ai i mori lopët. Prandaj, nëse këtë e kam bërë nga droja ndaj Teje, na e hap rrugën.” Atë çast, shkëmbi lëvizi pak. Tjetri tha: “O Allah! Ti e di që prindërit e mi kanë qenë të thyer në moshë dhe unë, çdo natë, u sillja qumësht të dhenve të mia. Mirëpo, një natë, u vonova dhe, kur u ktheva, prindërit i gjeta duke fjetur, ndërsa bashkëshortja dhe fëmijët gjëmonin nga uria. Por, unë kisha zakon të mos i ushqeja ata para prindërve, kurse, në anën tjetër, urreja t'ua prishja atyre gjumin, njëherazi urreja t'i lija pa qumësht e të dobësoheshin. Kështu, qëndrova duke i pritur deri në mëngjes. Prandaj, nëse këtë e kam bërë nga droja ndaj Teje, na e hap rrugën!” Atë çast, shkëmbi lëvizi pak, saqë mund ta shihnin qiellin. Tjetri tha: “O Allah! Ti e di se unë, një prej vajzave të xhaxhait tim, e dashuroja shumë dhe pata dashur ta joshja, por ajo pati refuzuar, përveç nëse ia jepja njëqind dinarë (e shtyrë nga skamja që e kishte goditur) . Kështu, punova derisa i mblodha (paratë) dhe ia dhashë, atëherë ajo ma dorëzoi veten. Por, kur u shtriva me të, më tha: “Kije frikë Allahun dhe mos ma prish virgjërinë pa kontratë martesore.” Kështu, nuk e preka, por u largova, si dhe ia lashë njëqind dinarët. Prandaj, nëse këtë e kam bërë nga droja ndaj Teje, na e hap rrugën!” Atëherë, Allahu ua hapi shpellën dhe dolën.””