“Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Selm ibn Zeriri, e ky e ka dëgjuar Ebu Rexhain se Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ka qenë në një udhëtim me Pejgamberin ﷺ, ku tërë natën kishin ecur pa u ndalur. Nga fundi i natës, u ndalën të pushojnë, por gjumi i mundi, andaj fjetën deri pas lindjes së diellit. Ebu Bekri u zgjua i pari. - Ishte zakon që Pejgamberin ﷺ, kur flinte, të mos e zgjonte askush, derisa të zgjohej vetë. - Ebu Bekri iu ul Pejgamberit ﷺ pranë kokës. Me t'u zgjuar, Omeri filloi të bëjë tekbire me zë të lartë, derisa u zgjua Pejgamberi ﷺ. U larguam nga aty dhe e falëm sabahun. Por, një burrë u veçua e nuk u fal me xhemat dhe, pasi Pejgamberi ﷺ e kreu namazin, i tha: “O filan, çfarë të pengoi të mos faleshe me xhemat?” Ai tha: “Jam bërë xhunub.” Pastaj Pejgamberi ﷺ e urdhëroi të marrë tejemum me dhé, kështu që u fal edhe ai. Pejgamberi ﷺ më vendosi me një grup të karvanit që gjendeshin para tij. Gjatë rrugës u etëm shumë dhe, teksa po ecnim, rastisëm pranë një gruaje, e cila i kishte shtrirë këmbët mes dy kacekësh. E pyetëm: “Ku është burimi?” Ajo u përgjigj: “Nuk ka burim këtej përqark.” E pyetëm: “Sa është larg burimi prej shtëpisë sate?” Ajo tha: “Një ditë e një natë.” I thamë: “Eja me ne tek i Dërguari i Allahut ﷺ.” Ajo pyeti: “E çfarë është i Dërguari i Allahut?” Ne e dërguam te Pejgamberi ﷺ pa i dhënë mundësinë të mendonte nëse donte të vinte apo jo. Ajo ia tha Pejgamberit ﷺ të njëjtat gjëra sikurse neve dhe shtoi se fëmijët i kishte jetimë (pra, ishte pa burrë). Pejgamberi ﷺ urdhëroi t'i zgjidhin grykët e kacekëve të saj, i fërkoi ato dhe ne të gjithë, dyzet burra, pimë derisa e shuam etjen. Pastaj mbushëm çdo enë dhe kovë që kishim, kurse deveve nuk u dhamë të pinë, ndërsa kacekët e saj ishin ende të mbushur me ujë, gati sa nuk pëlcisnin. Pastaj, Pejgamberi ﷺ tha: “Sillni ushqimet që posedoni.” Kështu, mblodhëm ca copa buke e hurma (dhe ia dhamë asaj), e cila mori rrugën për t'u kthyer në shtëpinë e saj. Kur shkoi atje, u tha njerëzve: “Jam takuar me një njeri, që është më magjistari ndër të gjithë, ose është pejgamber, siç pretendonin njerëzit.” Kështu, Allahu e udhëzoi atë vendbanim nëpërmjet asaj gruaje. Kur ajo e pranoi Islamin, iu bashkëngjitën edhe të tjerët (nga vendbanimi i saj).”