“Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Talhai i tha Umu Sulejmit: “E dëgjova të Dërguarin e Allahut ﷺ të flasë me zë të dobët, nga ku kuptova se është i uritur, andaj, mos vallë ke diçka (për të ngrënë)?” Ajo tha: “Po”, - dhe nxori një copë bukë elbi, të cilën e mbështolli me një pëlhurë, ma vuri nën krah, më mbështolli edhe mua me një pjesë të pëlhurës dhe më porositi t'ia dërgoj të Dërguarit të Allahut ﷺ. Kur shkova, të Dërguarin e Allahut e gjeta në xhami me disa njerëz. Hyra në mesin e tyre dhe Pejgamberi ﷺ më pyeti: “Të ka dërguar Ebu Talhai?” I thashë. “Po.” Ai pyeti: “Me ushqim?” I thashë. “Po.” Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ u tha të pranishmëve: “Ejani!” dhe u nisën rrugës. Unë u nisa para tyre, shkova tek Ebu Talhai dhe i tregova. Ai tha: “Oj Umu Sulejm, po vjen Pejgamberi ﷺ me disa njerëz. Nuk kemi çfarë t'u ofrojmë për të ngrënë.” Ajo ia ktheu: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Ebu Talhai u nis dhe e takoi Pejgamberin ﷺ dhe, me të ardhur aty i Dërguari i Allahut ﷺ, iu drejtua Umu Sulejmit: “Më sill çfarëdo që ke, oj Umu Sulejm.” Ajo ia solli atë bukë dhe Pejgamberi ﷺ urdhëroi të bëhej copa-copa. Umu Sulejmi i vuri copat në një enë dhe i përzjeu me pak lëng, pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ shqiptoi ca fjalë (duke bërë lutje tek Allahu) dhe tha: “Thirri dhjetë persona.” Ata hynë e hëngrën derisa u ngopën dhe dolën. Pastaj tha: “Thirri edhe dhjetë të tjerë.” Këta hynë e hëngrën derisa u ngopën, pastaj dolën. Pastaj tha: “Thirri edhe dhjetë të tjerë.” Këta hynë e hëngrën derisa u ngopën, pastaj dolën. Pastaj tha: “Thirri edhe dhjetë të tjerë.” Kështu, të gjithë hëngrën derisa u ngopën. Numri i tyre ishte shtatëdhjetë ose tetëdhjetë veta.””