“Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky nga babai i tij, e këtij i ka treguar Ebu Othmani se Abdurrahmani, i biri i Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), tregon se banorët e sufes kanë qenë njerëz të varfër dhe se një ditë Pejgamberi ﷺ tha: “Ai që posedon ushqim për dy persona, le ta marrë edhe të tretin. E, nëse posedon ushqim për katër, le ta marrë edhe të pestin ose të gjashtin.” Ebu Bekri i mori tre persona, ndërsa Pejgamberi ﷺ dhjetë sosh. Në familjen tonë jetonim unë, babai, nëna, bashkëshortja ime dhe një shërbëtor, që punonte edhe në shtëpinë time, edhe në të Ebu Bekrit. Atë natë, Ebu Bekri hëngri darkë te Pejgamberi ﷺ dhe ndenji derisa u fal namazi i jacisë, për t'u kthyer sërish dhe për të qëndruar derisa darkoi edhe Pejgamberi ﷺ. Pasi kaloi një copë nate, aq sa deshi Allahu, u kthye në shtëpi. Gruaja i tha: “Çfarë të vonoi që të kthehesh te mysafirët?” - A nuk u ke shtruar darkë? - e pyeti Ebu Bekri. - Refuzuan, donin të të prisnin ty. Ne ua shtruam, por ata refuzuan, - iu përgjigj gruaja. Abdurrahmani thotë: “Unë ika të fshihem, kurse Ebu Bekri filloi të thërrasë: “O injorant!” - dhe vazhdoi të më bërtasë e të më ofendojë. Pastaj u tha: “Hani (tash me vonesë), se unë nuk do të ha prej kësaj!” Betohem në Allahun se nuk ndodhte të merrnim ndonjë kafshatë, veçse ajo që ishte në enë shtohej edhe më shumë. Pasi u ngopën, ushqimi ishte shtuar edhe më shumë sesa që ishte në fillim. Kur Ebu Bekri pa se pothuajse ishte pa prekur, ose se kishte edhe më tepër, i tha gruas së vet: “Oj motra e fisit benu firas (ç'është kjo)?” - Lum e lum për ne! Qenka shtuar tri herë më shumë sesa që ishte në fillim, - tha ajo. Ebu Bekri hëngri disa kafshata nga ushqimi i mbetur dhe tha: “Ai, - betimi i mëhershëm se nuk do të ha, - ishte prej shejtanit.” Pastaj ushqimin e dërgoi te Pejgamberi ﷺ dhe e la aty. Në atë kohë kishim pakt me një popull dhe, pasi përfundoi, u bëmë dymbëdhjetë persona dhe secili mori disa njerëz me vete. - Vetëm një Zot e di sa persona shkuan me secilin, - porse të gjithë hëngrën prej saj.”