“Ahmed ibn Is'haku më ka thënë: Na ka treguar Ubejdullah ibn Musai, e këtij i ka treguar Israili, e ky nga Ebu Is'haku, e ky nga Amër ibn Mejmuni se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Sad ibn Muadhi u nis për në umre dhe (në Mekë) u vendos tek Umeje ibn Halef Ebu Safvani. Umeja, sa herë që shkonte në Sham dhe kalonte pranë Medinës, qëndronte te Sadi. Umeja i tha Sadit: “Mos u ngut, prit deri në mesditë, kur njerëzit pushojnë, atëherë shkon ta kryesh tavafin.” (Në mesditë) teksa Sadi po e kryente tavafin, Ebu Xhehli e pa dhe pyeti: “Kush është ky që po bën tavaf rreth Qabesë?” Sadi iu përgjigj: “Unë jam, Sadi.” Ebu Xhehli iu drejtua: “Po bën tavaf rreth Qabesë i sigurt, ndërkohë ju keni strehuar Muhamedin dhe shokët e tij?” Kështu, u grindën mes vete dhe Umeja i tha Sadit: “Mos ia ngrij zërin Ebu Hakemit, sepse ai është zotëria i luginës (Mekës).” Sadi ia ktheu: “Betohem në Allahun se, nëse më ndalon të kryej tavafin, do të ta ndërpres rrugën për tregti në Sham.” Por, Umeja vazhdoi ta kapte dhe t'i thoshte: “Mos e ngrij zërin!” Sadi u nevrikos dhe tha: “Mos e mbroj atë, sepse e kam dëgjuar Muhamedin ﷺ të thotë se ka për të të vrarë.” Umeja pyeti: “Mua?!” Sadi ia ktheu: “Po.” Umeja tha: “Betohem në Allahun se, kur Muhamedi flet, nuk gënjen.” Kështu, u kthye te bashkëshortja dhe i tha: “E di çfarë më tha vëllai im jethribas?” Bashkëshortja e pyeti: “Çfarë?!” Iu përgjigj: “Më tha se e ka dëgjuar Muhamedin të thotë se do të më vrasë.” Ajo i tha: “Betohem në Allahun se Muhamedi nuk gënjen.” Por, kur erdhi thirrja për në luftë të Bedrit, bashkëshortja i tha: “A nuk po të kujtohet çfarë të ka thënë vëllai yt jethribas?” Kështu, ai s'deshi të shkojë në luftë. Ebu Xhehli i tha: “Ti je zotëria i luginës (Mekës), andaj pse nuk na bashkëngjitesh për një ose dy ditë (e pastaj të largohesh nga radhët e ushtrisë)?” Kështu, ai u nis me ta dhe Allahu e vrau.””