“Jakub ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Uleje, e këtij i ka treguar Abdulaziz ibn Suhejbi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se në Betejën e Hajberit namazin e sabahut e falën së bashku me Pejgamberin ﷺ në fillim të agimit. Pejgamberi ﷺ hipi mbi kafshë, e po ashtu hipi edhe Ebu Talhai, kurse unë isha mbrapa Ebu Talhait. Pejgamberi ﷺ shpejtoi (me kafshën e tij) drejt një rruge të ngushtë nëpërmjet rrugicave të Hajberit, saqë gjuri im prekte kofshën e tij. Ai e zbuloi kofshën e vet, madje mund t'i shihja bardhësinë e kofshës së Pejgamberit ﷺ. Pasi hyri në fshat, thirri tri herë: “Allahu ekber! U mposht Hajberi! Kur ne zbresim në mejdanin e një populli, sa mëngjes të shëmtuar gdhijnë ata që janë paralajmëruar!” Kur populli doli për punët e tyre (dhe e panë ushtrinë), filluan të thërrasin: “Muhamedi!” Abdulazizi ka thënë: “Disa transmetues kanë shtuar: “Me ushtri!” Pra, e çliruam me luftë. I mblodhëm robërit, kurse Dihjai tha: “O i Dërguari i Allahut! Më jep një robëreshë!” Pejgamberi ﷺ i tha: “Shko merr një.” Kështu, ai e mori Safije bint Hujejin. Një burrë erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Dihjait ia ke dhënë Safije bint Hujejin, zonjën e fisit kurejdha dhe nadir? Atë nuk e meriton askush përveç teje.” Pejgamberi ﷺ tha: “Thirrini të dy.” Dihjai erdhi me Safijen, kurse Pejgamberi ﷺ e shikoi e tha: Merr një robëreshë tjetër. Pejgamberi ﷺ e liroi Safijen dhe u martua me të. Thabiti (transmetuesi pas Enesit) e pyeti: “O Ebu Hamza! Çfarë i dha për mehër?” Ai tha: “(Ajo qe vetë mehri për) veten e saj. E liroi dhe u martua me të.” Gjatë rrugës, Umu Sulejmi e përgatiti dhe ia dorëzoi në mbrëmje. Pejgamberi ﷺ u bë dhëndër e tha: “Ai që ka diçka (ushqim) , le ta sjellë.” I shtruan ca bohçe dhe disa sollën hurma, disa të tjerë gjalpë. (Abdulazizi ka thënë: Enesi) më duket se e ka përmedur edhe qullin. Me to përgatitën një kombinim ushqimesh dhe me këtë u kremtua martesa e Pejgamberit ﷺ.””