“Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Abdulazizi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në ditën e Uhudit, njerëzit u shpartalluan (dhe hoqën dorë) prej mbrojtjes së Pejgamberit ﷺ. Ebu Talhai qëndronte para Pejgamberit ﷺ duke e mbrojtur me mburojën e tij, i cili ishte shenjëtar i fortë me hark. Atë ditë theu dy-tri harqe, e, kur kalonte ndonjëri që kishte trastë me shigjeta, Pejgamberi ﷺ thoshte: “Jepja Ebu Talhait.” Pejgamberi ﷺ ngrihej t'i shikonte njerëzit, kurse Ebu Talhai i thoshte: “O i Dërguari i Allahut, kurban t'u bëfsha me babë e nënë, mos u ngrij, se po të godet ndonjë shigjetë e armikut. Gjoksi im e mbron gjoksin tënd.” Atë ditë, i pashë të përvjela Aishe bint Ebu Bekrin dhe Umu Sulejmin, saqë ua dalloja byzylykët e këmbëve, duke shpejtuar me enët e ujit në shpinë. Ato u jepnin ujë ushtarëve për të pirë, pastaj ktheheshin, i mbushnin dhe sërish u jepnin ushtarëve për të pirë. (Atë ditë) Ebu Talhait i ra shpata nga dora, dy-tri herë.””