“Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Ez'her Semani, e ky nga Ibn Avniu, e ky nga Muhamedi se Kajs ibn Ubadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa isha ulur në Xhaminë e Medinës, hyri një njeri, i cili në fytyrë kishte shenja përuljeje. Disa thanë: “Ky njeri është banor i Xhenetit.” Kështu, ai i fali dy rekate të shkurtra, pastaj doli. Shkova pas tij dhe i thashë: “Kur hyre në xhami, thanë: “Ky njeri është banor i Xhenetit.” - Betohem në Allahun se nuk i takon askujt të flasë për diçka që nuk di. Megjithatë, po të tregoj përse kanë thënë kështu: Në kohën e Pejgamberit ﷺ pashë një ëndërr, të cilën ia tregova Pejgamberit ﷺ: pashë sikur isha në një kopsht, - pastaj përmendi gjerësinë dhe gjelbërimin e tij. - Në mes kishte një shtyllë prej hekuri: fillimin e kishte në tokë, kurse fundin në qiell, dhe në fund kishte një nyjë. Më thanë: “Ngjitu!”, por unë thashë: “Nuk mundem.” Atëherë erdhi një shërbëtor, i cili e ngriti rrobën time nga mbrapa dhe u ngjita derisa arrita te fundi. Aty e kapa nyjën dhe më thanë: “Kape fort!” E mbaja në dorë, derisa u zgjova. Këtë ia rrëfeva Pejgamberit ﷺ, i cili më tha: “Ai kopsht është Islami, shtylla (e përmendur) është shtylla e Islamit, ndërsa nyja është nyja e fortë (Islami) . Ti do të jesh në Islam deri në vdekje” - tha ky burrë, i cili ishte Abdullah ibn Selami. Halife më ka thënë: “Na ka treguar Muadhi, e këtij i ka treguar Ibn Avniu, e ky nga Muhamedi, e këtij i ka treguar Kajs ibn Ubade, e ky nga Ibn Selami se për fjalën “shërbëtor" ka përdor fjalën “vesif" në vend të “minsaf”.”