“Amër ibn Abasi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrahman ibn Mehdiu, e këtij i ka treguar Muthenai, e ky nga Ebu Xhemra se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Ebu Dherri dëgjoi për paraqitjen e Pejgamberit ﷺ, iu drejtua vëllait të vet: “Nisu drejt kësaj lugine dhe më sill nga dituria e këtij burri, që po pretendon se është pejgamber dhe se i vjen shpallja nga qielli. Dëgjo ç'po thotë dhe kthehu.” Kështu, vëllai i tij shkoi dhe dëgjoi fjalët e Pejgamberit ﷺ, pastaj u kthye tek Ebu Dherri dhe i tha: “Pashë se thërriste në moral të lartë dhe thoshte fjalë që nuk ishin poezi.” Ai i tha: “Nuk ma solle atë që duhej.” Kështu, mori ca rezerva ushqimore dhe një trastë me ujë e u nis drejt Mekës. Me të arritur në Xhami (të Qabesë), filloi ta kërkojë Pejgamberin ﷺ, por nuk e njihte, njëherazi nuk dëshironte të pyeste askënd për të. Në mbrëmje, Aliu e pa dhe kuptoi se ishte i huaj (andaj e ftoi). Kështu, ky e pasoi (për në shtëpi). Asnjëri nuk e pyeti tjetrin asgjë deri në mëngjes. Të nesërmen, ai e mori trastën e ujit dhe rezervat ushqimore e shkoi në xhami. Aty qëndroi tërë ditën, por nuk e pa Pejgamberin ﷺ. Në mbrëmje u kthye te vendi ku ulej për të kaluar natën, por Aliu sërish kaloi aty pranë dhe tha: “A nuk ka ardhur koha që ky burrë ta gjejë shtëpinë e vet?” Kështu, ia dha dorën për t'u ngritur dhe shkuan së bashku në shtëpi. Asnjëri nuk e pyeti tjetrin asgjë deri në ditën e tretë, kur Aliu, sërish, teksa po kthehej, e thirri dhe e pyeti: “Vallë, a nuk më tregon çfarë të solli këndej?” Ai i tha: “Nëse më garanton dhe më premton se do të më drejtosh (për atë që po kërkoj), do të të tregoj.” Aliu i premtoi e ai ia rrëfeu ngjarjen. Atëherë Aliu i tha: “Ai është i vërtetë dhe i Dërguari i Allahut ﷺ. Andaj, në mëngjes, më ndiq dhe, nëse shoh diçka me rrezik për ty, do të ngrihem sikur dëshiroj të derdh ujë (të urinoj), e, nëse largohem, eja pas meje atje ku shkoj unë.” Ashtu vepruan. Ebu Dherri e ndoqi pas derisa shkuan te Pejgamberi ﷺ . Hynë brenda, i dëgjoi fjalët e tij dhe prej aty ai e pranoi Islamin. Pejgamberi ﷺ i tha: “Shko te populli yt dhe thirri në Islam, derisa të të vijë ndonjë urdhër (tjetër) prej meje.” Ebu Dherri u përgjigj: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se do të bërtas haptazi mes tyre (mekasve), sa të kem fuqi, për t'ua shfaqur këtë (se jam konvertuar).” Ai shkoi te Qabeja dhe filloi të thërrasë me sa zë kishte: “Eshhedu en la ilahe il-lallah, ve eshhedu ene Muhameden resulullah (dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut)!” Njerëzit u ngritën dhe e rrahën, derisa e shtrinë përtokë. Ai rrëfen: “Abasi erdhi dhe filloi të më mbrojë fizikisht, pastaj tha: “Mjerë ju! A nuk e dini që ky është nga fisi gifar, nëpër të cilët kaloni gjatë rrugës për tregti në Sham?” Kështu, e shpëtoi prej tyre. Të nesërmen, ai sërish doli dhe e përsëriti veprimin e djeshëm. Populli iu vërsulën dhe e rrahën, por Abasi e mbrojti sërish.””