“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Që kur mbaj në mend, prindërit e mi gjithmonë e kanë praktikuar fenë. Nuk kalonte ndonjë ditë pa na ardhur Pejgamberi ﷺ, mëngjes e mbrëmje. Kur muslimanët u sprovuan (nga torturat e jobesimtarëve kurejshë), Ebu Bekri u nis për t'u shpërngulur në Abisini dhe, kur arriti në Berk Gimad, e takoi Ibn Deginin, zotërinë e fisit karrah, i cili e pyeti: - Nga po shkon, o Ebu Bekër? - Më ka dëbuar populli im, ndërsa unë dua të jem i lirë në tokë dhe ta adhuroj Zotin, - ia ktheu Ebu Bekri. - Njerëz si ti as largohen, as dëbohen. Ti u jep nevojtarëve, i mban lidhjet farefisnore, u ndihmon të dobëtëve, i nderon e i ushqen mysafirët dhe i del në ndihmë atij që i bëhet padrejtësi. Andaj, unë do të të marr nën garancinë time, kështu që kthehu dhe adhuroje Zotin tënd në vendlindje, - tha Ibn Degini dhe u kthye së bashku me Ebu Bekrin (në Mekë). Kështu, shkoi te secili prijës kurejsh dhe u tha: “Ebu Bekri nuk është i atillë që largohet a dëbohet. Vallë, po e dëboni njeriun që u jep nevojtarëve, i mban lidhjet farefisnore, u ndihmon të dobëtëve, i nderon e i ushqen mysafirët dhe i del në ndihmë atij që i bëhet padrejtësi?!” Kurejshët e respektuan besëlidhjen e Ibn Deginit, por i thanë: - Thuaji Ebu Bekrit ta adhurojë Zotin e tij në shtëpi. Le të falet e të lexojë ç'të dojë, por neve të mos na pengojë me të, të mos e shfaqë haptas, sepse kemi frikë se do t'i tundojë gratë dhe bijtë tanë.” Ibn Degini ia tha këto gjëra Ebu Bekrit, i cili në atë rast filloi ta adhurojë Zotin në shtëpi. Nuk e ngrinte zërin gjatë namazit e as gjatë këndimit të Kuranit jashtë shtëpisë. Më pas iu mbush mendja për të ndërtuar një xhami në oborrin e shtëpisë dhe për ta shfaqur haptas. Aty falej dhe lexonte Kuran. Gratë dhe bijtë e kurejshëve grumbulloheshin përreth, e shikonin dhe kënaqeshin. Ebu Bekri qante lehtë, nuk i mbante dot lotët kur lexonte Kuran. Kjo i frikësoi prijësit idhujtarë kurejshë, andaj dërguan dikë për ta thirrur Ibn Deginin, e, kur ai erdhi, i thanë: “Ne e respektonim besëlidhjen tënde me Ebu Bekrin, me kusht që ai ta adhuronte Zotin e vet në shtëpi, por e ka kaluar kufirin: në oborr të shtëpisë ka ndërtuar një xhami, ku falet dhe lexon Kuran haptas. Ne frikësohemi se do t'i tundojë gratë dhe bijtë tanë. Andaj, shko dhe, nëse do që ta adhurojë Zotin në shtëpi, le ta bëjë, e, nëse refuzon dhe dëshiron ta bëjë haptas, le të ta kthejë besëlidhjen, sepse ne nuk kemi dëshirë ta thyejmë besën me ty, e, në anën tjetër, nuk pajtohemi me veprimet e hapura të Ebu Bekrit.” Kështu, Ibn Degini vajti tek Ebu Bekri dhe i tha: “Ti e di si jemi marrë vesh në besëlidhjen tonë. Ose mjaftohu me aq, ose ma kthe besën, sepse nuk dua që ndër arabë të përhapet se më është shkelur besa që i kam dhënë dikujt.” Ebu Bekri tha: “Po ta kthej besëlidhjen dhe po mjaftohem me besëlidhjen e Allahut.” Atëkohë, Pejgamberi ﷺ ishte në Mekë. Ai u tha muslimanëve: “Më është shfaqur vendi i hixhretit tuaj. Kam parë në ëndërr një shkretëtirë me hurma mes dy pllajave.” Pasi Pejgamberi ﷺ e tha këtë, disa u shpërngulën (nga Meka) në Medinë e disa të tjerë u kthyen prej Abisinisë në Medinë, të cilët ishin shpërngulur më herët atje. Edhe Ebu Bekri u përgatit për hixhret, por Pejgamberi ﷺ i tha: “Mos u ngut, sepse shpresoj se edhe mua do të më jepet leja (për hixhret) .” - A me të vërtetë po shpreson, me babë kurban t'u bëfsha? - e pyeti Ebu Bekri. - “Po”, - i tha Pejgamberi ﷺ. Kështu, Ebu Bekri u ndal për ta shoqëruar Pejgamberin ﷺ dhe, katër muaj rresht, tuboi ushqim për dy deve. Ibn Shihabi transmeton nga Urve se Aishja ka thënë: “Një ditë, teksa ne ishim ulur në shtëpinë e Ebu Bekrit në mesditë, dikush i tha Ebu Bekrit: “Ja, i Dërguari i Allahut ﷺ me kokë të mbështjellë.” Ai nuk e kishte zakon të vinte në këtë kohë. Ebu Bekri tha: “Kurban iu bëfsha me babë e nënë! Betohem në Allahun se nuk ka ardhur në këtë kohë veçse për një gjë të rëndësishme.” I Dërguari i Allahut ﷺ erdhi dhe kërkoi leje për të hyrë. Ebu Bekri i dha leje dhe ai, me të hyrë, i tha Ebu Bekrit: “Largoji njerëzit prej shtëpisë.” - Janë familja jote, me babë kurban t'u bëfsha, o i Dërguar i Allahut, - tha Ebu Bekri. - “Më është lejuar të bëj hixhret”, - i tha Pejgamberi ﷺ. - A do të jem shoqërues, me babë kurban t'u bëfsha, o i Dërguar i Allahut? - pyeti Ebu Bekri. - “Po”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ. - Merre njërën prej këtyre dy deveve, me babë kurban t'u bëfsha, o i Dërguar i Allahut, - tha Ebu Bekri. - “Vetëm me pagesë”, - ia ktheu i Dërguari i Allahut ﷺ. Aishja vazhdon: “Kështu, i përgatitëm mirë e mirë dhe ua bëmë gati ushqimin në një çantë. Esma bint Ebu Bekri ndau një pjesë të shokës (brezit) dhe me të e lidhi grykën e çantës, gjë për të cilën është quajtur “Zonja e dy shokave”. Pastaj, i Dërguari i Allahut ﷺ dhe Ebu Bekri shkuan në kodrën Theur, ku u fshehën tri ditë. Abdullah ibn Ebu Bekri e kalonte natën tek ata. - Ai ishte djalosh i shkathët dhe i zgjuar. - Në agim largohej prej aty dhe gdhinte me kurejshët në Mekë, sikur e kalonte natën aty. Çdo gjë që dëgjonte për Pejgamberin ﷺ dhe Ebu Bekrin (në Mekë), e mbante në mend dhe gjatë natës ua përcillte lajmet. Ndërkaq, Amir ibn Fuhejra, i çrobëruar i Ebu Bekrit, afër tyre ruante një tufë delesh dhe në mbrëmje (u jepte atyre qumësht) dhe kështu ata e kalonin natën me qumësht të freskët, pastaj, në agim, largohej prej aty. Kështu veproi tri net. I Dërguari i Allahut ﷺ dhe Ebu Bekri paguan një pjesëtar të fisit benu dejl, nga familja beni abd ibn adij, si udhërrëfyes dhe drejtues (rruge). Ai kishte aleancë me familjen e As ibn Vail Sehmiut dhe ishte në fenë e kurejshëve. Ata i besuan atij dhe ia dhanë devetë. Caktuan takimin pas tri netësh në mëngjes te shpella Theur. Amir ibn Fuhejra shkoi me ta, ndërkohë që udhërrëfyesi i drejtoi ata rrugës së bregdetit.””